Zyrtarët kanë thënë se të shtunën e 19 gushtit, shtatë persona, përfshirë një vajzë gjashtëvjeçare, janë vrarë kur një raketë ruse goditi një teatër në qytetin verior të Ukrainës, Chernihiv.
Policia ka thënë se pesëmbëdhjetë fëmijë ishin midis 144 personave të plagosur. Të paktën 25 persona ishin në spital. Midis viktimave kishte njerëz që kishin festuar një festë të krishterë ortodokse në kishë.
Një shesh kryesor dhe një ndërtesë universiteti u dëmtuan gjithashtu në sulm.
OKB-ja e quajti atë “të neveritshme”, ndërsa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u zotua për një përgjigje të prerë nga ushtarët ukrainas ndaj një “sulmi terrorist”.
Chernihiv ndodhet rreth 50 km (31 milje) në jug të kufirit të Ukrainës me Bjellorusinë. Ajo u rrethua nga trupat ruse në muajt e parë të pushtimit në shkallë të plotë të presidentit Vladimir Putin të nisur në shkurt 2022.
Teatri impozant i qytetit u godit drejtpërdrejt. Pllakat u hodhën nga çatitë e ndërtesave fqinje dhe njëra mori flakë 100 metra larg. Teatri po priste një mbledhje të prodhuesve të dronëve, tha kryebashkiaku në detyrë i Chernihiv për BBC.
“Unë e kuptoj që qëllimi i tyre ishte një ngjarje ushtarake që po ndodhte në ndërtesën e teatrit të dramës dhe se ishte objektivi i tyre”, ka thënë Oleksandr Lomako.
“Por është e qartë se rusët që i lëshuan ato raketa dhe ata që u dhanë atyre porosi në mes të ditës në qytetin civil, e kuptuan se viktimat do të jenë kryesisht civilë”.
“Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta interpretuar atë përveç një krimi lufte kundër civilëve, një tjetër krim lufte rus”, shtoi ai.
Ministri i Brendshëm ukrainas, Ihor Klymenko, më vonë tha se të gjithë ata që ishin brenda teatrit kishin arritur të strehoheshin në kohë.
Ai tha se “shumica e viktimave ishin në automjetet e tyre ose duke kaluar rrugën në momentin e goditjes me raketa, si dhe duke u kthyer nga një kishë”.
Qendra e qytetit të Chernihiv është një zonë e njohur për njerëzit që të shëtisin, veçanërisht në fundjavë, thanë vendasit për BBC.
Anna Zahreba, menaxherja e një restoranti tatar të Krimesë, përballë teatrit, tha se stafi i saj po përgatitej për një ditë të ngarkuar kur raketa goditi.
“Unë vrapova jashtë për të parë se çfarë po ndodh”, tha ajo. “Këtu ishin dy vajza 12-vjeçare me shumë gjak, njëra kishte këmbën e plagosur rëndë, një vajzë tjetër po bërtiste. Ne vendosëm një turi dhe pritëm një ambulancë. U desh shumë kohë për të arritur këtu, por një burrë ndaloi makinën e tij dhe ne e çuam një vajzë në spital”.
Anna thotë se stafi nxitoi për të ndihmuar të plagosurit me pajisje mjekësore dhe batanije.
“Këtu gjithmonë ecin shumë njerëz, me fëmijë dhe karroca për bebe. Shumë restorante dhe kafene në zonë”, ka thënë ajo, duke shtuar se “Nuk e prisnim një ditë si kjo”.
Në fjalimin e tij me video të shtunën vonë, presidenti Zelensky tha se fëmija i vrarë në sulmin rus ishte një vajzë e quajtur Sofia. Më herët, ai tha se Rusia e kishte kthyer një të shtune të zakonshme në “një ditë dhimbjeje dhe humbjeje”.
OKB-ja tha se ishte “jashtëzakonisht e shqetësuar” nga sulmi.
“Është e neveritshme të sulmosh sheshin kryesor të një qyteti të madh, në mëngjes, ndërsa njerëzit janë jashtë duke ecur, disa shkojnë në kishë për të festuar një ditë fetare për shumë ukrainas”, ka thënë Denise Brown, kreu aktual i OKB-së në Ukrainë në një deklaratë.
“Sulmet e drejtuara kundër civilëve ose objekteve civile janë rreptësisht të ndaluara sipas ligjit ndërkombëtar humanitar”, ka thënë ajo. “Duhet të ndalet.”
Në qytet është shpallur tri ditë zie, derisa Moska ende nuk ka komentuar.
Diku tjetër, Rusia ka pohuar se një dron ukrainas goditi një aeroport ushtarak në rajonin veriperëndimor të Novgorodit, duke shkaktuar një zjarr që u shua shpejt.
Ukraina nuk ka komentuar mbi sulmin e supozuar me dron.
Ndërkohë, forcat ajrore të Kievit thanë se ushtria ukrainase kishte rrëzuar 15 nga 17 dronët Shahed të prodhuar nga Irani, të nisur nga Moska në një sulm gjatë natës, raporton BBC, përcjellë Dukagjini.