Dyshohet se një nxënëse e SHFMU “Kajtaz Ramadani” në Kijevë, është sulmuar seksualisht nga një punonjës teknik i kesaj shkolle.
Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar Sheremet Elezaj, zëdhënës i Policisë për rajonin e Gjakovës.
“Me datë 17.11.2022, Stacioni Policor në Malishevë është njoftuar se viktima, femër (e mitur), nxënëse e SHFMU “Kajtaz Ramadani” në Kijevë, ishte sulmuar seksualisht nga një punonjës teknik i kesaj shkolle. Njësitet relevante të policisë i janë përgjigjur rastit dhe është arrestuar i dyshuari”, ka thënë Elezaj.
Krahas kësaj, bëhet e ditur se me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndalur në mbajtje për 48 orë. Të njëjtit i është iniciuar rasti “Sulm seksual”.
Një lajm i tillë, ndonëse me pak detaje, ishte përfshirë në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
“Malishevë 17.11.2022-15:15. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti e ka sulmuar seksualisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me rekomandimin e prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.