Javëve të fundit Policia e Kosovës është përballur me sulme të ndryshme në pjesën veriore të vendit, respektivisht në zonën kufitare me Serbinë.
Sulmet u bënë në mënyra e me mjete të ndryshme, duke nisur nga gjuajtja me gurë në drejtim të automjeteve policore, vendosja e “iriqëve metalikë” në rrugë për t’i dëmtuar gomat e veturave të policisë, e deri te sulmet me kallashnikovë e granata dore.
Katër sulmet e para ndodhën mes datave 12 dhe 15 prill të këtij viti. Këto sulme në fillim nuk ishin bërë publike as nga ana e Policisë së Kosovës e as nga Ministria e Punëve të Brendshme. Më datën 15 prill, këto dy institucione, Policia dhe MPB-ja, dolën në një konferencë për media, ku dhanë detaje për sulmet me të cilat po përballeshin pjesëtarët e policisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, në konferencën e thirrur për media, në të cilën pjesëmarrës ishte edhe Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, sulmet me armë zjarri në drejtim të njësive patrulluese kufitare, i cilësoi si sulme terroriste.
Ai kishte deklaruar se këto sulme për shënjestër kishin zyrtarët policorë, dhe, sipas tij, kishin qëllim lëndimin e tyre.
Sipas Sveçles, sulmet kishin të bënin me aksionet e Policisë së Kosovës, në kuadër të parandalimit të kontrabandës.
Ndërkaq, drejtori i policisë, Samedin Mehmeti, katër sulmet e para i kishte cilësuar si sulme të orkestruara e që lidheshin me njëri-tjetrin.
Po ashtu, sipas Mehmetit, sulmet kishin ardhur nga territori i Serbisë. Për katër sulmet e para nuk kishte asnjë të arrestuar.
16 prill, sulmi tjetër
Një ditë pas konferencës së mbajtur nga ministri Xhelal Sveçla dhe drejtori i policisë Samedin Mehmeti, të cilët njoftuan publikun për sulmet e njëpasnjëshme ndaj njësive të policisë kufitare, erdhi edhe sulmi tjetër.
Edhe kësaj here, cak i sulmit ishte njësia kufitare e policisë në Jarinjë, specifikisht në Sharpej. Sipas njoftimit të policisë, më 16 prill rreth orës 03 të mëngjesit, kishin ndodhur dy shpërthime afër veturave të policisë, me mjete piroteknike.
Dyshimet e para të policisë ishin se mjetet me të cilat ishte dëmtuar një veturë e njësive policore kufitare ishin hedhur nga territori i Serbisë. Kësaj here ky sulm kishte ardhur kur policia ishte duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë, e cila, sipas tyre, përdorej për kontrabandë të mallrave. Edhe kësaj here dëmet ishin vetëm materiale, por njëjtë nuk kishte ndonjë të arrestuar.
Pushtet e opozitë i dënojnë sulmet ndaj zyrtarëve policorë në veri
Presidenca, pozita dhe opozita, si rrallëherë kishin qëndrim të njëjtë sa i përket sulmeve ndaj zyrtarëve policorë në veri. Disa orë pas sulmeve të para, presidentja Vjosa Osmani kishte takuar strukturat shtetërore të sigurisë.
“Ditët e fundit, Serbia dhe strukturat e saj kriminale kryen disa sulme me cak Policinë e Kosovës në veri. Këto veprime të shoqëruara me tentativa dezinformuese synojnë të destabilizojnë situatën e sigurisë dhe politike në Kosovë. Ata do të dështojnë, shteti i së drejtës do të mbizotërojë”, kishte shkruar në twitter shefi i stafit të presidentes Osmani, Blerim Vela.
Kryeministri Albin Kurti i kishte bërë thirrje shtetit serb, që të distancohen dhe t’i dënojë sulmet e 13,14 dhe 15 prillit.
“Për tri ditë radhazi (13–15 prill) policët e Kosovës janë sulmuar në pikën kufitare me Serbinë. Dje dhe sot më herët, një breshër plumbash dhe një granatë dore u hodhën drejt policisë sonë. Burimet tona e kanë identifikuar sulmin e djeshëm të ketë ardhur nga territori i Serbisë. Kjo as nuk do të na pengojë dhe as nuk do të na ndalojë nga lufta jonë për të mbrojtur shtetin ligjor kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjithë territorin e Republikës sonë”, thuhej në reagimin e Kurtit.
Sulmet me kallashnikovë e granata dore i kishin dënuar edhe partitë opozitare në vendin tonë. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kishte bërë thirrje për hetim e zbardhje të rastit, kurse sulmin ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës e kishte quajtur akt kriminal.
“Sulmi ndaj Policisë së Kosovës afër pikave kufitare me Serbinë është akt kriminal dhe i patolerueshëm, që për qëllim ka cenimin e rendit të ligjit për dobi të kriminelëve, në një kohë kur Kosovës i duhen stabiliteti e siguria, ndërsa mohuesve të sovranitetit tonë i konvenojnë trazira dhe provokimi i paqes. Që të dy këto qëllime janë e do të mbesin të paarritshme kundër shoqërisë sonë multietnike e shtetit tonë sovran dhe të pavarur”, ka shkruar Krasniqi.
Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kishte thënë se ofrojnë “gjithë mbështetjen e nevojshme për Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë në ushtrimin e detyrave kushtetuese dhe garantimin e sigurisë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.
Ndërkaq, Ramush Haradinaj, i kishte quajtur këto sulme, krim të organizuar e akte kriminale.
“Krimi i organizuar ka sulmuar Policinë e Kosovës. Këto akte kriminale janë alarm për të gjithë. Krimi i organizuar nuk ka përkatësi politike as etnike. Ai i rrezikon të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, andaj është në interesin e secilit individ dhe komunitet që ta denoncojë e ta luftojë krimin. Të distancohemi nga dhuna e nga krimi e të bashkohemi në luftën e pakompromis ndaj tij”, kishte deklaruar Haradinaj.
Reagimet e bashkësisë ndërkombëtare
Përveç spektrit politik kosovar, reagime duke e dënuar dhunën e duke bëre thirrje për qetësim të situatës kishte pasur edhe nga bashkësia ndërkombëtare.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kishin bërë thirrje për kujdes kundër spekulimeve që mund t’i rrisin tensionet.
Ambasada amerikane në Kosovë, kishte bërë të ditur se e dënon çdo përpjekje për pengimin e ruajtjes së paqes dhe të sigurisë në vend.
Sulmi drejtuar policëve të Kosovës u dënua “ashpër” edhe nga Zyra e BE-së në Kosovë. Kjo e fundit këtë sulm e kishte cilësuar si të papranueshëm.
“Policia e Kosovës është ofruesi kryesor i sigurisë dhe çdo përdorim i forcës kundër zyrtarëve të saj është i papranueshëm. Bëjmë thirrje që të shmangen spekulimet e panevojshme që mund të shtojnë tensione të mëtejshme, duke theksuar se hetimi i rastit do të bëhet nga organet përkatëse të zbatimit të ligjit”, thuhej në reagimin e tyre.
Nuk ndalen. Policia përsëri cak i sulmeve me armë zjarri
Më 26 prill, Policia e Kosovës është sulmuar sërish në veri të vendit. Në orët e para të së martës, në fshatin Zupç të Zubin Potokut, një automjet i Policisë është sulmuar me armë zjarri.
Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, ka deklaruar se sulmi kishte ndodhur në drejtim të automjeteve të policisë, dhe se përveç dëmeve materiale nuk kishte të lënduar.
“Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cilat kanë njoftuar se njësiti kufitar është sulmuar me armë zjarri. Përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar”, ka thënë Kelani.
Me të marrë lajmin, njësia speciale e Kosovës u dërgua në vendin ku edhe kishin ndodhur sulmet. Ky është sulmi i gjashtë me radhë ndaj Policisë së Kosovës, derisa për to, zyrtarisht ende nuk ka të arrestuar.