Të freskët e ka ende momentin ndonëse kanë kaluar më shumë se dy vite kur ishte sulmuar gazetari Visar Duriqi.
Për rastin që kishte nisur të hetohet nga Policia e Prokuroria, ai nuk mori asnjëherë sqarim e as përgjigje se çfarë ka ndodhur.
Sulmuesit ishin kapur në kamera të sigurisë por pavarësisht kësaj, Duriqi thotë se nuk kishte veprime dhe se kjo neglizhencë e institucioneve e ka bërë të mos u besoj këtyre organeve.
“Nuk me ka thirr prokurori i rastit kurrë, më vonë as policia nuk me ka kontaktuar, nuk e di as kush është prokurori i rastit, mu nuk me kanë njoftuar asnjëherë nëse kanë pas ndonjë person të dyshuar. Deri tash me rastin çka është bërë është ekzaminimi i video-incizimit, unë kam kërkuar të di nëse është ekzaminu gjaku i tyre që kanë mbetur në thikë por asnjëherë nuk kam marr një përgjigje nga prokuroria”, ka thënë Duriqi.
Me sulm fizik u ballafaqua edhe gazetari i Kallxo.com, Behar Mustafa.
Por, ani se kishte video incizime edhe këtë rast, i njëjti u mbyll nga Prokuroria pa asnjë rezultat.
“ Të rasti jem nuk ka pas as të arrestum. Unë kom dhanë deklarata në Polici dhe pastaj kom marr një përgjigje nga prokuroria se rasti im është mbyllur pasi nuk kanë arritur që të arrestojnë asnjë person edhe pse ka pasur video-incizime dhe njerëz të arrestum atë dit kur ka ndodh rasti por që nuk kanë arrit me i lidh me rastin tim”, ka thënë Mustafa.
I fundit gazetar që ishte cak i sulmit është Valon Syla, për të cilin kishte reagim të shpejtë të Prokrurorisë Speciale që mori rastin nën hetim, për shkak të natyrës së veprës penale, që është përçarje dhe mosdurim fetar.
Por, edhe Syla ka treguar se ende nuk është intervistuar nga Prokuroria.
“Nuk i di saktësisht keto procedurat penale por dicka po me habit shume ne rastin e sulmit tim. Prokuroria/prokurori, as ai kujdestar e as ai qe eshte caktu me vone, nuk me kane kontaktu ende zyrtarisht.P rokuroria nuk me ka dhene asnje dokument rreth rastit tem, bile ende zyrtarisht nuk me kane tregu kush eshte prokuror i rastit. Prokuroria/gjykata, trupi gjykues i procedures paraprake, nuk me kane njoftu qe eshte mbajte seance per caktimin e paraburgimit te personave te dyshuar. Nga mediat jam informu dhe kisha pase qejf me qene prezent une ose avokati im”, ka thënë Syla.
Shqetësuese mospërfundimin e rasteve ku cak i sulmeve janë gazetarët, po e konsideron Xhemajl Rexha, kryetar i AGK-së, neglizhencë e cila po ka pasoja.
“ Fatkeqësisht edhe rasti o fundit ka ardhur si pasojë e neglizhencës së rasteve të mëhershme. Ne jemi të vetëdijshëm se sistemi i drejtësisë ka lëndë të shumta të pazgjidhura por kjo neglizhencë e organeve të drejtësisë unë them se ndonjëherë vije edhe pasi që gazetarët raportojnë për aferat e gjyqtarëve dhe prokurorëve por unë do të doja të besoj që ky nuk është një motiv për ta që mos t’i marrin parasysh lëndët e gazetarëve”, ka thënë Rexha.
Në një përgjigje për televizionin, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2022, ka pranuar gjithsej 12 raste të kanosjeve dhe veprave të tjera penale të kryera ndaj gazetarëve në lidhje me punën e tyre si gazetarë.
Prej tyre, Prokurori i Shtetit ka ngritur 7 aktakuza ndaj të pandehurve dhe të njëjtat i ka deleguar në Gjykatë për trajtim të mëtejmë, derisa 4 prej tyre janë në procedurë të hetimit.