Të paktën gjashtë persona kanë mbetur të vrarë dhe 53 të tjerë kanë mbetur të lënduar nga shpërthimi në Stamboll, i cili ndodhi të dielën e 13 nëntorit.
Kështu ka njoftuar presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan, teksa ka thënë se “përpjekjet për ta nënshtruar Turqinë dhe kombin turk përmes terrorizmit nuk do të arrijnë qëllimin e tyre as sot, e as nesër, ashtu siç nuk e arritën dje”.
“Të jetë i sigurt kombi ynë se autorët e incidentit në rrugën Istiklal do të dënohen ashtu siç e meritojnë. Ndonëse mund të jetë e gabuar të quhet terrorizëm në terma absolutë, të dhënat e para sinjalizojnë se mund të bëhet fjalë për terrorizëm”, ka deklaruar Erdogan.
Njoftimin për gjashtë të vdekur dhe 53 persona të lënduar e ka dhënë edhe guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter.
Bugün İstiklal Caddesi'nde meydana gelen patlamada maalesef ölü sayımız 6’ya, yaralı sayımız 53’e yükseldi.
Hayatını kaybedenlere Allah'tan rahmet, yaralılara acil şifalar diliyoruz.
Gelişmeler kamuoyuyla paylaşılacaktır
— Ali Yerlikaya (@AliYerlikaya) November 13, 2022
Ndryshe, Ambasada e Kosovës në Ankara ka vënë në dispozicion një numër kontaktues emergjent të Konsullatës në Stamboll për qytetarët e Kosovës që gjenden në shtetin turk.
“Ndërsa të lënduarve u dëshirojmë shërim të shpejtë. Përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës në Turqi janë në komunikim të ngushtë me autoritetet vendore turke, lidhur me zhvillimet e fundit”.
“Luten shtetasit tanë të cilët gjenden në Stamboll që në rast nevoje të kontaktojnë në numrin emergjent të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Stamboll”, thuhet në një njoftim të ambasadës.
Një video e postuar në internet tregoi flakët duke shpërthyer dhe një zhurmë të fortë, ndërsa këmbësorët duke ikur.