Katër fëmijët të cilët u goditën me thikë në një park në Annecy, në juglindje të Francës, tani janë në një gjendje të qëndrueshme, thanë zyrtarët për BBC.
Fëmijët nga një deri në tre vjeç po trajtohen në spital.
Policia arrestoi sulmuesin me thikë, pasi ai hyri në një kënd lojërash për fëmijë për ta kryer sulmin.
Mes të plagosurve është edhe një fëmijë britanik trevjeçar, ndërsa një tjetër holandez. Dy të rritur gjithashtu u plagosën.
I dyshuari, siç ka konfirmuar Policia, është një sirian 31-vjeçar, i cili kishte statusin e refugjatit në Suedi.
Deputeti rajonal, Antoine Armand, e përshkroi sulmin si “të neveritshëm” dhe tha se autoritetet po hetonin, por dinin “shumë pak”.
Pamjet video të sulmit të ngarkuara në mediat sociale – tepër grafike për t’u transmetuar – tregojnë një shesh lojrash të vogël, ku jeta po vazhdon normalisht. Fëmijët vrapojnë përreth dhe prindërit e kujdestarët e tyre janë aty. Pastaj, hyn një burrë me thikë dhe shumë shpejt dëgjohen britma.
Kryeministrja franceze, Élisabeth Borne dhe ministri i Brendshëm, Gérald Darmanin, shkuan në vendin e sulmit. Borne tha në një konferencë për shtyp se sulmuesi “nuk ka të dhëna kriminale apo psikiatrike”.
Ndërkaq, prokurorja e Annecy, Line Bonnet-Mathis, u tha gazetarëve se sulmi nuk kishte motive terroriste.
Policia thotë se i dyshuari ka statusin e refugjatit në Suedi dhe së fundmi ka ardhur në Francë, duke lënë pas një grua dhe një vajzë trevjeçare. Në një kërkesë të pasuksesshme për azil vitin e kaluar për statusin e refugjatit në Francë, ai tha se ishte një krishter sirian.
Gjatë incidentit, sulmuesi thirri emrin e Jezu Krishtit.