Më pak se një javë nga njoftimi për hapjen e saj, në minutat e parë të 1 prillit, zyra e Postës së Kosovës në Zveçan ishte cak i një sulmi me dy granata dore.
Njëra granatë shpërtheu menjëherë duke shkaktuar dëme në hyrje të zyrës, teksa tjetrën Policia e gjeti të pashpërthyer në vendngjarje.
“Granata e dytë është shpërthyer nga ana e njësisë për deminim e Policisë së Kosovës, në mënyrë të kontrolluar, d.m.th. në mënyrë të sigurt. Nuk ka lëndime në njerëz, ka dëme materiale. Policia është duke punuar për ndriçimin e rastit”, ka thënë Veton Elshani, zv/drejtor i Policisë në rajonin e veriut.
Pa treguar nëse kanë identifikuar ndonjë të dyshuar ose detaje tjera për hetimin, Policia dha një vlerësim për situatën e përgjithshme.
“Kemi pasur disa raste të shpërthimeve me granata dore në veri të vendit, në Zveçan për shembull. Por, ne konsiderojmë që kjo nuk ndikon në aspektin e përgjithshëm të sigurisë në veriun e vendit. Situata e sigurisë ne veri të vendit vazhdon të jetë e qetë, vazhdon të jetë delikate. Mirëpo, konsiderojmë që Policia është duke e kryer punën e vet, jemi në çdo vend të veriut”, ka shtuar Elshani.
Por, institucionet veçse ka nisur punën për zbardhjen e rastit.
Këto dy kamera të sigurisë, të vendosura në qoshin e epërm të zyrës së Postës, mund t’u shërbejnë institucioneve për të zbardhur rastin.
Sulm me elemente terroriste, e cilësoi atë ndaj Postës, kryeministri Albin Kurti.
Ai e vlerësoi atë si “përpjekje për të cenuar sigurinë dhe integritetin e qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Kosovës”, siç u shpreh, “nga dëshpërimi dhe pafuqia e atyre që nuk sundojnë më në veriun e Kosovës”.
“Brengosëse në këtë situatë mbetet fakti se individë të njohur për lidhjet e tyre me grupe kriminale dhe terroriste, si Millan Radoiçiq, vazhdojnë të mbeten të lirë, e po strehohen dhe po shfrytëzohen nga pushteti në Serbi për qëllime shoviniste. Qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiq dhe mosdorëzimi i tij autoriteteve të shtetit tonë është një mesazh i rrezikshëm që inkurajon kriminelë e terroristë, ekstremistë të ndryshëm, që të vazhdojnë veprimet e tyre me tendencë destabilizuese”, ka shkruar Kurti.
Pasi e cilësoi sulm terrorist, kryetari Zveçanit Ilir Peci foli për kryerësit potencialë.
“Mund të ketë lëvizje te personat, mirëpo grupi është i njëjtë. Qëllimi i tyre, normalisht, dihet – që qytetarët të kenë frikë. Por e përsëris, qytetarët nuk kanë nevojë të kenë frikë ose panik”, ka thënë Peci.
Dëmet e shkaktuara nga afër i panë zyrtarë nga niveli qendror i ndërmarrjes Posta e Kosovës, por nuk u deklaruan për media.
Në zyrën ku është vendosur Posta e Kosovës në Zveçan, deri në maj të vitit të kaluar – kur u mbyll – ishte ajo që njihet si banka postare e Serbisë, degët e së cilës u mbyllën më herët nga institucionet kosovare.