Policia e Kosovës gjatë orëve të para të mëngjesit të së dielës është sulmuar nga një ekip paramilitar, të organizuar nga shteti serb, bëjnë të ditur burime të Dukagjinit.
Në këtë pritë të organizuar nga shteti serb – siç theksojnë burimet – ndaj policisë ka mbetur një i vrarë dhe një tjetër është plagosur.
Ndërkaq, Policia ka njoftuar se njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy kamionë (pa targa).
“Njësitet e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe po sa kanë mbërritur në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitet policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.