Ditën e diel në Zubin Potok, në dy raste të ndryshme, policët janë sulmuar dhe penguar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, rreth orës 09:55 në fshatin Bërnjak të Zubin Potokut, është arrestuar një i dyshuar pasi kishte refuzuar t’i prezantojë dokumentet identifikuese dhe lejen e qarkullimit të veturës, duke tentuar të largohet me veturë.
Gjatë arrestimit të tij, duke rezistuar kishte sulmuar fizikisht zyrtarët policorë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi kishte refuzuar t’i prezantojë dokumentet identifikuese dhe lejen e qarkullimit të veturës, duke tentuar të largohet me veturë. Zyrtarët policorë kanë arritur ta ndalojnë të dyshuarin, dhe më pas gjatë arrestimit, i dyshuar duke rezistuar kishte sulmuar fizikisht zyrtarët policorë”, thuhet në njoftim.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërsa, në fshatin Bube të Zubin Potokut, në të njëjtën ditë, por rreth orës 15:20, një vozitës mashkull kosovar është arrestuar pasi ka penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
“Fsh. Bube, Zubin Potok / 19.11.2023 – 15:20. Është arrestuar vozitësi mashkull kosovar pasi ka penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas intervistimit, me vendim të prokurori vozitësi është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.