Policia e Kosovës ka njoftuar se disa persona të dyshuar kanë sulmuar me granatë dore ndërtesën e komunës në veri të Mitrovicës, në orët e vona të mesnatës të së hënës.
Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili ka thënë se nuk ka të lënduar.
Sipas tij, incidenti ka rezultuar në dëmtimin e dy veturave të Policisë së Kosovës.
“Në orët e vona të mbrëmjes nga person/a të dyshuar është sulmuar me mjet shpërthyes Komuna në Veri të Mitrovicës. Bazuar në informatat zyrtare dyshohet se në oborrin e objektit komunal në Mitrovicë Veri, afër hyrjes së objektit është hedhur një mjet shpërthyes, i cili dyshohet të ketë qenë granat dore, me ç’rast ka shkaktuar disa dëme materiale në veturat zyrtare. Fatmirësisht, nuk raportohet për lëndime në njerëz, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në dy vetura zyrtare të policisë”, ka thënë Kelani.
Në konsultim me prokurorin kompetent, rasti është iniciuar si “kryerja e veprës terroriste”.
Autoritetet po hetojnë ngjarjen për të zbuluar shkaqet dhe identifikuar përgjegjësit.
Kujtojmë se disa ditë më parë është raportuar edhe për sulme me shok-bomba afër stacioneve policore në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, komuna në veri të Kosovës.