Një grup kriminal brenda protestuesve serbë në Zveçan, e ka sulmuar me mjete të forta Policinë e Kosovë në komunën e Zveçanit.
Lajmin për RTV Dukagjinin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili bëri të ditur se si pasojë e sulmit me gurë, veturës së policisë i është thyer xhami.
Sipas tij, nga ky rast nuk ka mbetur asnjë person i lënduar.
“Mund të konfirmojmë se një veturë policore, e cila ka qenë me detyrë zyrtare duke patrulluar në drejtim të komunës së Zveçanit, është penguar dhe sulmuar me mjete te forta nga protestuesit. Si pasojë e sulmit me mjete të forta (gurë), veturës i është thyer xhami, e cila më pas është larguar nga ai lokacion. Nuk raportohet për të lënduar, përderisa rasti është duke u hetuar”, ka thënë ai.
Protestuesit serbë, janë duke kërkuar që kryetarët e rinj të komunave veriore, të largohen nga objektet komunale. Kjo nuk është hera e parë që grupet kriminale ushtrojnë dhunë ndaj Policisë së Kosovës, në veri. Ditë më parë, ata i kanë sulmuar edhe trupat e KFOR-it, duke i lënë rreth 30 të lënduar.
Për shkak të këtyre tensioneve, ShBA dhe BE, kanë kërkuar të shpallen zgjedhjet në atë pjesë të vendit në mënyrë që situata të depërshkallëzohet.
Ata e kanë fajësuar kryeministrin Albin Kurti, për këto tensione duke e akuzuar se nuk është koordinuar me ta.