Vetura e ekipit të RTV Dukagjini është sulmuar në veri, teksa ekipi ishte duke raportuar për zhvillimet në Leposaviq.
Protestuesit serbë e kanë sulmuar veturën e ekipit të RTV Dukagjini, teksa ia kanë shpuar gomat dhe kanë e ngjyrosur me mbishkrime nacionaliste në derën e përparme dhe prapme.
Gazetari nga RTV Dukagjini, Liridon Llozani, i cili ishte duke raportuar në këtë komunë, ka thënë se ai dhe stafi janë mirë.
Ai ka bërë të ditur se edhe veturat e mediumit Kallxo.com janë sulmuar në mënyrën e njëjtë.
“Ne ekipi i RTV Dukagjini bashkë me ekipin e KALLXO.com i kemi pasur të parkuara veturat, kur jemi kthyer te veturat, kanë qenë disa të rinj dhe persona të moshuar të ulur në atë pjesë dhe na kanë treguar që gomat i kemi të shpuara”, ka thënë Llozani.
Ai ka thënë se përveç që targat e Republikës së Kosovës janë mbuluar me shkrime nacionaliste, ndonjë lëndim ose sulm direkt ndaj gazetarëve të RTV Dukagjini nuk ka pasur.