Sulmuesi i Liverpoolit, Luis Diaz, pritet të jetë jashtë fushës deri në fund të dhjetorit, pasi pësoi një lëndim në gju në pjesën e parë të humbjes me rezultat 3-2 të dielën në Premier League ndaj liderit Arsenal.
25-vjeçari kolumbian nuk ka nevojë për operacion, por raportohet se do të humbasë 10 ndeshje në programin e skuadrës së Liverpool-it përpara Kupës së Botës, e cila fillon më 20 nëntor.
Reds do të shpresojnë të rikthejnë Diaz për vizitën e tyre në Aston Villa më 26 dhjetor në ndeshjen e tyre të parë pas Kupës së Botës, për të cilën Kolumbia nuk është kualifikuar.
Në ndeshjen ndaj Arsenalit ai qëndroi vetëm 42 minuta, përpara se të zëvendësohej nga Roberto Firmino, i cili vazhdoi të shënojë golin e dytë të barazimit, raporton Sky Sports.
Po ashtu, mbrojtësi anglez i Liverpool-it, Trent Alexander-Arnold pësoi dëmtim në kyçin e këmbës në ndeshjen e së dielës, dhe menaxheri Juergen Klopp ka thënë pas ndeshjes se të dy lëndimet nuk dukeshin mirë.
Diaz ka bërë 12 paraqitje në të gjitha garat deri më tani këtë sezon, duke shënuar katër gola me tri asistime.
Liverpooli ka pasur vështirësi këtë sezon dhe është në vendin e 10-të në tabelë me 10 pikë pas tetë ndeshjesh. Ata udhëtojnë te Rangers në Grupin A të Ligës së Kampionëve të mërkurën.