Gjykata Supreme ka hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ishte paraqitur kundër vendimit të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Ankesa e Vetëvendosjes lidhej me vendimin e PZAP-së që urdhëroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të certifikonte Listën Serbe për pjesëmarrjen në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Kolegji i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur me datë 30 dhjetor 2024, e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e subjektit politik Vetëvendosje, të paraqitur kundër vendimit të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP)”, thuhet nga kjo gjykatë.
PZAP-ja, në datën 25 dhjetor, kishte miratuar ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të KQZ-së që refuzonte certifikimin e saj.
Sipas PZAP-së, Lista Serbe kishte përmbushur të gjitha kriteret ligjore për të marrë pjesë në zgjedhje, duke e autorizuar kështu KQZ-në të bëjë certifikimin e saj.
Ndërsa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), më 23 dhjetor 2024, kishte vendosur për moscertifikim të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje.
Përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), kanë dalë kundër certifikimit të kësaj partie, duke theksuar që kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si “Kosova dhe Metohia”.
Po ashtu, vendimi u mor pasi u vlerësua nga ana e disa anëtarëve në KQZ, se ka pasur thirrje nacionaliste serbe nga ana e kryetarit të Listës Serbe, Zllatan Ellek – gjatë prezantimit të Listës zgjedhore të këtij subjekti politik.