Gjykata Supreme e Speciales ka refuzuar kërkesën e Haxhi Shalës për mbrojtje të ligjshmërisë lidhur me qëndrimin e tij në paraburgim.
Vendimi është marrë të hënën nga paneli i gjykatësve Ekaterina Trendafilova, kryegjykatëse, Kristinë van den Vajngart dhe Daniel Fransen.
Sipas njoftimit të Gjykatës Supreme, paneli ka konstatuar se nuk është bërë shkelje thelbësore e procedurave nga ana e Gjykatëses së Procedurës Paraprake, e cila fillimisht urdhëroi mbajtjen e mëtejshme të Shalës në paraburgim, as nga Paneli i Gjykatës së Apelit, i cili e konfirmoi vendimin.
“Më 9 shtator 2024, Paneli i Gjykatës Supreme i përbërë prej Gjykatësve Ekaterina Trendafilova (kryegjykatëse), Kristinë van den Vajngart dhe Daniel Fransen, hodhi poshtë kërkesën e Haxhi Shalës për mbrojtje të ligjshmërisë lidhur me mbajtjen e tij në paraburgim. Paneli konstatoi se nuk është bërë shkelje thelbësore e procedurave nga ana e Gjykatëses së Procedurës Paraprake e cila fillimisht urdhëroi mbajtjen e mëtejshme në paraburgim të të akuzuarit, dhe Panelit të Gjykatës së Apelit i cili e konfirmoi vendimin”, thuhet në njoftim.
Në këtë rast, përveç Shalës, akuzohen edhe Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi.
Aktakuza e ngritur më 4 tetor 2023, i ngarkon ata me tentativë për të bindur një dëshmitar të mos japë dëshmi.
Të akuzuarit janë nën hetim për përpjekje për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës së tyre përmes kërcënimeve të rënda, ndodhur midis 5 dhe 12 prillit 2023.