Publicisti Veton Surroi ka thënë se ideja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe nuk ka lindur në vitin 2013, por shumë më herët, në vitet e 90-ta.
Ai, në “Debat Plus”, ka thënë se Serbia vazhdimisht e ka parë zgjidhjen e problemit me Kosovën si çështje territoriale.
“Asociacioni nuk ka lindur në vitin 2013, ka lind para vitit 1999, territoralizimi zgjidhja territoriale serbe është projektuar në libra më herët gjatë viteve 90. Kam parë për herë të parë çështjen e Asociacionit në tryezat që i organizonte Bernard Kushneri, ku Trajkoviqi doli me harta se si do dukeshin këto komuna serbe, nuk është gjë e re”, tha ai.
Tutje, ai i kritikoi pushtetet e kaluara duke thënë se kanë pranuar ta “problematizojnë fitoren e madhe në GJND”, duke u futur në dialog.
“Kosova ka pranuar me duart e veta të zhbëjnë apo problematizojnë fitoren e vet të madhe, vendimin e GJND-së. Këto janë mungesa të lidershipit të asaj kohe. Lidershipi i asaj kohe menjëherë pas shpalljes së pavarësisë ka qenë të pranohen 6 pikat e Bankimunit”, tha ai.