Publicisti dhe shkrimtari, Veton Surroi, në “Debat Plus”, ka folur për protestat e viteve 1988-99, duke theksuar se në to simbolet jugosllave u përdorën si formë mbrojtje nga dhuna policore e atëhershme.
Surroi tha se nëse protestuesit e kishin fotografinë e Josip Broz Titos apo flamurin e Jugosllavisë, atëherë policia nuk do t’i rrihte.
“Asokohe akuza më e madhe që i bëhej shqiptarëve dhe Kosovës, se ishte seperatizmi, apo irredentizmi në vitin 80, kur e kuptuan që irredentizmi mund të ketë konotacion pozitiv, e kthyen në seperatizëm, e shtuan edhe terrorizëm, sepse lidhej me ET-ën e IRA-n.
Në vitet 89, minatorët, Trepça, elektroekonomia, që u ngritën në vitin 88 dhe 89, edhe në 88 ka pasur protesta masovike. Flamuri i Jugosllavisë përdorej si mbrojtje prej policisë. Nëse e ke flamurin e Jugosllavisë dhe fotografinë e Titos, policia nuk do të rrahë. Kjo ndodhi në vitin 1988”, tha ai.
Ai u shpreh se protestuesit në këtë mënyrë nuk mund të akuzoheshin se ishin kundër Jugosllavisë. Sipas tij, ligjërimi publik i asaj kohe ishte sikur ishin duke e mbrojtur Jugosllavinë e Tito-së, e që ishte si kamfullim për të mos u përndjekur politikisht.
“Organizatorët e bën me qëllim, ikonografia ishte socialistë, minatorët me helmetat me flamurin e Trepçës me të Jugosllavisë, me fotografinë e Titos. Ishte pjesë e një ikonografie socialiste, s’mund të akuzoheshin që ishin kundër Jugosllavisë por ishin në mbrojtje të autonomisë. Ligjërimi publik në vitet 80 kemi përsëritur gjithmonë se jemi duke e mbrojtë Jugosllavinë e Tito-së, që s’kishte sens sepse Tito kishte vdekur”, tha ai.
Kurse në vitin 1990, sipas Surroit, duhej një transformim për një lëvizje demokratike dhe të adresohej cështja e Kosovës.
Kjo, sipas tij, filloi të bëhej nën moton për barazi në konfederatën jugosllave.
“Për të ardhur në vitin 1990, transformimi që duhej ta bënim në lëvizjen demokratike, duhej adresimi i çështjes së Kosovës, adresimi i çështjes së Kosovës është shumë i kujdesshëm, edhe në LDK e çdo kund tjetër, thuhej se duam barazi brenda konfederatës Jugosllave. Kam biseduar me Kuçanin, në Slloveni, me liderët kroatë, ka pasur shumë pak lëvizje për pavarësi të këtyre shteteve. Ideja ka qenë e Sllovenisë e Kroacisë, për një lloj konfederat që republikat e ruajnë mëvetësinë e vet, dhe japin mjete për të mbajtur diplomaci, ushtri, kaq një konfederatë e çliruar nga obligimet”, tha ai.