Ndonëse kërkesa e aleatëve ndërkombëtarë ishte që afati për konvertimin e targave të shtyhej në një afat prej 10 muajsh, dy ditë para datës 31 tetor, Qeveria e Republikës së Kosovës kishte vendosur që të mos e pranonte kërkesën. Ajo doli me një vendim prej fazash se si duhej të implementohej vendimi për targat ilegale.
Faza e parë e cila startoi nga një nëntori dhe përfundon me datën 21 të këtij muaji, parasheh një faze qortimesh, për ata që nuk i heqin targat ilegale për t’i regjistruar makinat e tyre me tabala të Republikës së Kosovës.
Veprimi i tillë i Kurtit nuk mbeti pa u komentuar nga Departamenti i shtetit amerikan, i cili ishte shprehur i shqetësuar dhe njëherit, i zhgënjyer për mospranimin e këshillës nga SHBA-të.
Ndonëse faza e qortimeve ka filluar, ajo nuk po respektohet nga serbët në veri të Republikës së Kosovës. Si rrjedhojë, Drejtori Rajonal i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriq, është suspenduar.
Lajmin e ka bërë të ditur, të enjten, Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media.
“Me datë 03.11.2022, u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me rekomandim të IPK-së ka suspenduar nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore drejtorin rajonal të Mitrovicës Veri, për mosrealizim të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare”, thuhet në njoftim.
Pas këtyre zhvillimeve, Lista Serbe ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste në veri dhe zhvillimin e takimeve me pjesëtarë të tjerë serbë që kanë pozita në institucionet e Republikës së Kosovës.
Sheshi dhe pjesë të tjera të qytetit të Mitrovicës së Veriut të premten vonë, janë stërmbushur me flamuj të Serbisë. Ky veprim simbolik është ndërmarrë para protestës të thirrur për të dielën nga ana e Listës Serbe, pas shkarkimit të shefit të policisë së Kosovës për regjionin e Mitrovicës së Veriut.
Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë njoftuar se të shtunën e pesë nëntorit do të mbajnë një takim me përfaqësuesit serbë në institucione të Kosovës, ku do të shqyrtojnë mundësinë për bojkotim dhe largim nga institucionet e Republikës së Kosovës. Ndërsa, ata kanë paralajmëruar protesta nga e diela e gjashtë nëntorit, raporton N1, transmeton Portali Dukagjini.
Ndërkohë, paralelisht me këto zhvillimeve në Kosovë, presidenti i Serbisë me ftesë të kryeministres serbe, do të zhvillojnë një takim, në të cilin, do të diskutohet një raport për bisedimet me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë.
Pas kësaj, Vuçiq do të takohet edhe me ambasadorin kinez, Chen Bo dhe me ambasadorin rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Harchenko.
Si rrjedhojë e këtyre takimeve, Vuçiq ka anuluar udhëtimin e tij drejt Egjipitit.