Zyrtari policor, Idriz Gashi që u pa në njërën nga tubimet e organizuara nga kandidati i PDK-së për deputet, Mërgim Lushtaku është suspenduar nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Avokati, Arianit Koci ka njoftuar se klientit të tij i është falsifikuar fotoja dhe se sot është autorizuar të përpilojë dhe të dorëzojë kallëzim penal për falsifikimin e fotos.
“Nëse ka një hetues në polici për të cilin kam mendim të mirë si profesionist dhe njeri i ndershëm, ai është Idriz Gashi. Prej dje, ai është i suspenduar! Suspendimi është një hap procedural fillestar, dhe Idriz Gashi ka të drejtën e tij për të paraqitur faktet dhe mbrojtjen. Organet kompetente duhet ta trajtojnë rastin me paanshmëri dhe profesionalizëm. Sa i përket pretendimeve për pjesëmarrjen e tij në një tubim politik, dua të sqaroj se fotoja e publikuar është falsifikuar!
Hetuesi policor Idriz Gashi nuk ka qenë pjesë e tubimit të një partie politike në fshatin Rrezallë! Për këtë, klienti i im ka prova materiale! Prandaj, sot jam autorizuar të përpiloj dhe dorëzoj kallëxim penal për falsifikimin e fotos. Ky veprim është i domosdoshëm për të mbrojtur integritetin e një zyrtari dhe për të dërguar një mesazh të qartë: drejtësia nuk do të tolerojë manipulime të tilla.
Le të shërbejë ky rast si një shtysë për forcimin e ligjit dhe mbrojtjen e institucioneve tona. “E vërteta gjithmonë del në dritë, por kërkon guxim dhe drejtësi.” P.S. Shpresoi që suspendimi të mos dekurajojë hetuesit e tjerë në ndjekjen e rasteve penale. Në anën tjetër, ky rast duket si një përpjekje e hapur për delegjitimimin e institucioneve shtetërore”, ka shkruar ai.
Ndryshe, sipas fotografive të shpërndara nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu por edhe udhëheqës në Lëvizjen Vetëvendosje, ai shihet prezent në tubimin e organizuar nga kandidati, Mërgim Lushtaku.
Si pasojë e këtyre veprimeve, ai u suspendua nga Inspektorati Policor i Kosovës.
“Duke ju referuar kërkesës suaj IPK ju njofton se sipas detyrës zyrtare pas publikimit të lajmeve në medie ka filluar grumbullimin dhe analizimin e informacioneve për këtë rast. Zyrtari policor është suspenduar nga Policia dhe IPK është njoftuar për këtë suspendim përderisa veprimet tjera do të ndërmerren konform autorizimeve ligjore”.