Gazetarja Adelina Ahmeti ka shtatë vjet që e ushtron profesionin në mediumin kallxo.com. Ajo e përcjellë fushën e sigurisë për çka ka kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të këtij profili.
Përgjatë punës ka pranuar mijëra përgjigje, por jo sikurse mesazhi që e pranoi të mërkurën në numrin e saj personal.
Këto janë pyetjet e testit për bashkëpunëtor profesional për prokuroritë në Gjakovë, Pejë dhe Prizren. Personi që gazetares ia ka dërguar këto pyetje është Kryeprokurori në Gjakovë, Ramiz Buzhala. Adelinës ai i bën thirrje që ta shfrytëzojë kohën deri në orën 13:00.
Porosia pranohet por si duket në adresën e gabuar.
Me të kuptuar gabimin Kryeprokurori gjen arsyen që të shkëpusë kontaktin, veprim që sipas Ahmetit e ka përsëritur edhe sot.
“Edhe gjatë ditës së sotme kemi tentu me bisedu me Kryeprokurorin me marrë detaje shtesë për të kuptuar se nga kush i ka pranu ato pyetje dhe cili ka qenë destinacioni i pyetjeve”, ka deklaruar gazetarja Adelina Ahmeti.
Ahmeti tregon se e kanë vërtetuar se pyetjet që i janë dërguar asaj janë të njëjtë me testin që është mbajtur dje nga ora 13:00.
“Do të kërkojmë të gjitha shkresat, do të kërkojmë edhe testin që me e pa saktësisht nëse pyetjet kanë qenë të njëjta edhe pse e kemi konfirmuar prej kryetarit të Komisioni Vlerësues që kanë qenë ato pyetje të cilat i ka dërgu edhe Kryeprokurori”, ka shtuar Ahmeti.
Edhe RTV Dukagjini ka tentuar të marrë një qëndrim nga Kryeprokurori Buzhala, por i njëjti nuk është përgjigjur. Më pak se 24-orë pas këtij rasti , me kërkesë të U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, Këshilli Prokurorial i Kosovës është vënë në lëvizje.
“Këshilli Prokurorial ka themeluar panelin hetimor për zhvillimin e procedurës disiplinore ndaj Kryeprokurorit Buzhala. Gjithashtu, KPK ka marr vendim për suspendimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala. Pas suspendimit të Kryeprokurori Buzhala, Këshilli Prokurorial ka marr vendim për caktimin e prokurorit, Enis Gashi, ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës”, thuhet nw reagim.
Përpos suspendimit të Kryeprokurorit Buzhala është anuluar edhe konkursi, ndërsa kanë nisur procedurat disiplinore ndaj anëtarëve të komisionit përzgjedhës në këtë konkurs.
KPK ka filluar procedurat disiplinore por sipas avokatit, Skender Musa rasti i Kryeprokurorit Buzhala mund të përfshijë edhe veprën penale.
“Pa asnjë dyshim është ndërhyrje në procesin e punësimit dhe në trajtimin e barabartë të qytetarëve të Kosovës sa i përket punësimit. Është pa asnjë dyshim shkelje e rëndë disiplinore megjithëse mund të involvohet edhe pjesa penale për shkak se në fakt ngërthen edhe elemente të veprës penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, ka deklaruar Musa.
Përmes RTV Dukagjini për këtë rast ka reaguar edhe Ministria e Drejtësisë. Ata kanë thënë se nuk janë kompetent të flasin për këtë çështje, por që rasti dëshmon se duhet reforma, posaçërisht në sistemin Prokurorial.