Ilir Mulhaxha, përmbarues privat në Territorin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, është suspenduar nga ushtrimi i funksionit të përmbaruesit privat deri në një vendim të Komisionit Disiplinor.
Vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit, ka bërë të ditur zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, përmes një postimi në Facebook.
“Më 29 nëntor 2022, Departamenti për Profesione të Lira në MD ka pranuar nga Telekomi i Kosovës SH.A. në cilësinë e palës debitore, propozimin për inicimin e procedurës disiplinore ndaj përmbaruesit privat Ilir Mulhaxha, i emëruar për Territorin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me lëndën përmbarimore”, thuhet në arsyetimin e vendimit.
Më 30 nëntor, propozimi për inicimin e procedurës disiplinore ndaj përmbaruesit privat, ilir Mulhaxha, është proceduar në Komisionin Disiplinor, në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi.
Sallahu ka theksuar se “Në bazë të kompetencave ligjore, sapo nënshkrova Vendimin për suspendimin e përmbaruesit privat që deri pasnesër do ta përmbaronte një borxh mbi 6 milionë euro (të llogaritur gabimisht) të Telekomit”.
“Ka kaluar koha kur financat e Telekomit shërbenin si plaçkë për t’i pasuruar orkestruesit e tenderëve që lidheshin qëllimisht në disfavor të Kompanisë! Jemi qeverisje e ruajtjes dhe mbrojtjes së financave publike që derivojnë nga tatimet e qytetarëve tanë”, thuhet në shkrimin e tij.