Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se aksioni në kërkim të sulmuesve të Policisë së Kosovës po vazhdon ende, teksa ka thënë se armët që janë gjetur lidhen me aksionin e Zveçanit që është zhvilluar më herët nga policia.
Ai ka bërë të ditur se tre sulmues mbetën të vrarë në operacionin e sotëm në Banjskë, ndërsa u arrestuan gjashtë persona – dy prej tyre sulmues dhe katër të tjerë që e mbështetën sulmin me radiolidhje.
“Armët janë të llojllojshme, pas hetimeve do ta keni listën e saktë. Ka disa armë që mund të lidhen me aksionin e Zvecanit, me disa armë jemi ndeshur për herë të parë”, ka thënë Sveçla.
Ai ka thënë se shumica e veturave që kanë ardhur janë nga Beogradi dhe se bëhet fjalë për grup terroristësh nga disa grupe kriminale, teksa ka theksuar se ndonëse hyrjet e tyre nga Serbia në Kosovë nuk janë të pamundshme, veprimtaria e tyre tashmë është duke u bërë e pamundshme.
Ai ka shtuar se zona ku policia po kërkon është më e gjerë se ajo në Manastir, dhe se i gjithë territori i vendit është vendosur nën kontroll.
“Policia e Kosovës në vazhdimësi ka informata të ndryshme që i verifikon. Ky është një grup terrorist që ka marrë akte terroriste. Kemi një linjë kufitare me reliev të gjatë me Serbinë, hyrjet e terroristëve nuk janë të pamundshme, por veprimtaria e tyre tashmë është duke u bërë e pamundshme”, ka vijuar Sveçla.
Ndryshe, sot polici, Afrim Bunjaku, mbeti i vrarë, ndërsa polici tjetër, Alban Rushiti, mbeti i plagosur si pasojë e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, mëngjesin e së dielës.
Policia ka thënë se tre sulmues janë vrarë dhe një është arrestuar.