Në 23-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka theksuar nevojën për rritjen e sigurisë në vend, sidomos për fëmijët dhe gratë.
Në fjalimin e tij, ministri Sveçla tha se jo rrallëherë institucionet e drejtësisë kanë dështuar për t’i mbrojtur këto dy kategori.
“Shteti ynë duhet të ofrojë drejtësi për të gjithë dhe dënim meritor për kryesit e veprave kriminale, ne duhet të rrisim siguri në vend për të gjithë qytetarët, por sidomos për ata më të lëndueshmit, siç janë fëmijët dhe gratë tona. Në detyrën për t’i mbrojtur si institucione jemi ballafaquar me sfida, në të cilat jo rrallëherë kemi dështuar”, ka deklaruar ministri Sveçla.
Ministri i Punëve të Brendshme ka folur edhe për sfidat e Policisë së Kosovës, për ta shtrirë sovranitetin në veri të vendit.
Sveçla tha se policia vazhdimisht përballet me struktura kriminale, të cilat sipas tij janë të organizuara nga Serbia, me qëllim për ta destabilizuar jo vetëm veriun e Kosovës, por të gjithë rajonin.
“Kohëve të fundit jemi ballafaquar me tentativa të vazhdueshme të strukturave kriminale të mbështetura fuqishëm nga Serbia për ta destabilizuar, jo vetëm veriun e vendit tonë, por edhe rajonin”, është shprehur Sveçla.
Ai ka thënë se Policia e Kosovës përballet me grupe kriminale të secilës përkatësi etnike, teksa ka theksuar se luftimi i krimit nuk ka të bëjë me çështje etnike.
Sveçla i ka përmendur disa nga aksionet e policisë në veri, siç janë, ndalimi i kontrabandës me drogë, ndalimi i prodhimit të kriptovalutave, ndalimi i kontrabandës me mallëra e kështu më radhë.
“Policia jonë po ballafaqohet me grupe kriminale të çdo përkatësie etnike, i është shpallur luftë drogës, i janë shkatërruar laboratorët dhe plantancionet e saj prodhimit ilegal të kriptovaluatve dhe shkatërruar kudo që janë parë, kontrabandës me mallra, janë konfiskuar me qindra tonelata mallra, dhe janë mbyllur 12 rrugë ilegale përmes të cilave ka ndodhur kontrabanda”, ka theksuar ai.
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB) ka thënë se Policia e Kosovës do të vazhdojë të mbetet si një nga institucionet më të besueshme të vendit dhe, sipas tij, Policia e Kosovës është më e mira në rajon.