Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, këtë të premte ka shkuar në vilën e Milan Radojçiqit, tashmë të sekuestruar nga Policia e Kosovës.
Po ashtu, pas mbërritjes së Sveçles atje, atij i është bashkuar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë për mediat se Policia tashmë ka vendosur kamera sigurie dhe është e pranishme në këtë vilë.
Siç raporton ekipi i TV Dukagjini në terren, Policia ka vazhduar aksionin e saj në pronat e Radojçiqit në veri të vendit, duke vendosur kamera të sigurisë në lokalin e tij në Mitrovicën Veriore.
Kujtojmë se vitin e kaluar, ministri Sveçla kishte bërë kërkesë që prona e Radojçiqit të shfrytëzohet nga Policia e Kosovës.
Sipas Sveçlës, vila e Radojçiqit duhet t’i kalojë në shfrytëzim Policisë së Kosovës si bazë e Policisë.
Lexo edhe: Vila e Radojçiqit, “një hap drejt sigurisë më të fortë në zonën kufitare”
Ai kishte theksuar se prona ku është ndërtuar vila është pronë e Agjencisë Pyjore të Kosovës.
Më 3 prill zyrtarët e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, kanë nisur zbatimin e Urdhrit Ndalues përfundimtar me masë të përkohshme, lidhur me pasuritë e paluajtshme në rastin Banjska.
Nis zbatimi i Urdhrit Ndalues lidhur me pasuritë e paluajtshme të Radojçiqit në veri
Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, ka bërë të ditur se po atë ditë ka filluar edhe identifikimi i pasurive, duke përfshirë edhe vilën e Milan Radojiçiqit.
Haxhiu publikon listën e pasurisë së konfiskuar të Radojçiqit
Ministrja Haxhiu gjithashtu ka publikuar dokumentet e listave të pasurive të konfiskuara dhe të sekuestruara të Radojçiqit, i cili, siç ka thënë ajo, është bërë milioner duke përdorur frikën, kërcënimet dhe shantazhet ndaj qytetarëve të komunitetit serb.
E kjo epokë, sipas saj, ka marrë fund dhe ka ardhur koha që qytetarët të jetojnë pa frikë, ndërsa kriminelët të ndëshkohen.