Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është një “gënjeshtar kronik”.
Kjo deklaratë e Sveçlës vjen pasi presidenti serb të mërkurën deklaroi se djali i tij, Danilo, teksa ishte pjesë e festës së Vidovdanit në Graçanicë, u ndalua tri herë nga Policia e Kosovës.
Sveçla e ka mohuar këtë duke thënë se u ndalua vetëm një herë nga Policia e Kosovës, e cila ka kërkuar nga djali i Vuçiqit gjatë ndalimit ta heqë bluzën provokative që e kishte veshur, të cilit më pas iu kontrollua vetura dhe më pas u la i lirë për t’u larguar drejt Serbisë.
“Ai ka hyrë në Kosovë si qytetar i rëndomtë. Nuk ka procedura të veçanta për qytetarët e rëndomtë. Ai u shfaq më pas në Graçanicë me këtë bluzë provokative. Policia normalisht se i ka ndalur veturat që janë sjellë në mënyrë të çuditshme. Atij i është kërkuar heqja e kësaj bluze provokuese për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kjo është e gjitha dhe ata janë larguar drejt Serbisë”, ka thënë Sveçla.
“Ne e dimë që Vuçiqi ka qenë ministër i propagandës në kohën e Millosheviqit, por se është gënjeshtar kronik po na vërteton tërë kohën. Djali i tij nuk është ndaluar tri herë, por veç një herë në dalje të Prishtinës”, ka vijuar Sveçla.
Ai ka thënë se djali i Vuçiqit ka hyrë përmes pikës kufitare në Merdarë dhe se Policia e Kosovës gjatë kontrollimit të veturës së tij nuk ka gjetur asgjë të dyshimtë.
“Patjetër që Policia e Kosovës nuk ka gjetë asgjë të dyshimtë, po të gjendej ndonjë armë, do e kishte obligim që të ndërmarrë hapat e duhur sikurse në rast të gjetjes së ndonjë personi me armë ilegale”, ka vijuar Sveçla.
Ndryshe, i biri i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, është parë në Graçanicë të mërkurën, aty ku po mbaheshin festimet e Vidovdanit.
Ai kishte të veshur një bluzë me mbishkrimin “Dorëzimi nuk është opsion”, por që më pas ishte ndaluar nga Policia e Kosovës dhe i është kërkuar heqja e bluzës.
Djali i Vuçiqit shihet në manifestimet e Vidovdanit në Graçanicë