Në 26-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë bërë homazhe pranë obeliskut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kazermën “Adem Jashari”, e janë zhvilluar aktivitete të tjera nga Ministria e Mbrojtjes.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka rikujtuar guximin dhe qëndresën e familjes Jashari.
“Në mëngjesin e 5 marsit të vitit 1998 dhe për tri ditë me radhë, përballë një aparati të tërë ushtarak të Serbisë, qëndroi dhe luftoi deri në sakrificë familja e lavidshme Jashari,” shkruan Sveçla.
Mesazhin e qartë Serbisë ia dhanë familja Jashari sipas tij.
“Shaban Jashari me Hamzën, Ademin dhe gjithë familjen deri tek Blerina e vogël 7 vjeçare i dhanë mesazhin më të qartë Serbisë se kjo është toka jonë dhe do të mbrohet deri në vdekje.”
Tutje, Sveçla në postimin e tij shkruan “Në 26 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nderojmë lartësinë e veprës së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe mbarë familjes Jashari, nderojmë mishërimin e nderit tonë kombëtar e shtetëror.”