Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar një video në Twitter përmes së cilës jepen detaje se si forcat serbe kanë kidnapuar tre policët e Kosovës thellë brenda territorit të Kosovës.
Ai ka thënë se kjo është vepër kriminale dhe një kidnapim i planifikuar që u krye me urdhër të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ministri Sveçla ka kërkuar që Serbia të ndalë dezinformatat dhe të lirojë policët menjëherë.
“Videoja e mëposhtme tregon se si forcat serbe, me urdhër të drejtpërdrejtë të Vuçiqit, rrëmbyen zyrtarët tanë të PK-së, thellë në territorin e Kosovës, saktësisht 1 km larg kufirit. Serbia duhet të ndalojë dezinformimin dhe të lirojë oficerët tanë tani”, ka shkruar Sveçla në Twitter.
A planned abduction. A criminal act.
The video below, shows how Serbian forces, w/direct order from Vucic, abducted our KP officials, deep w/in the territory of 🇽🇰. Exactly 1km away from the border. Serbia has to stop disinformation & release our officers now. pic.twitter.com/XAfpAAkjjt
— Xhelal Sveçla (@XSvecla) June 21, 2023
Ndryshe, më 14 qershor, forcat serbe kanë kidnapuar tre policë të Kosovës brenda territorit të Kosovës.
Të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se tashmë ka konfirmuar se tre policët “ishin zënë në pritë dhe kidnapuar nga forcat serbe” brenda territorit të Kosovës.
“Tani e kemi konfirmuar se tre policët e ndaluar në mënyrë ilegale ishin zënë në pritë dhe kidnapuar nga forcat serbe përderisa ishin në një pauzë të përbashkët dreke, nga një patrullë rutinore e kontrabandimit brenda territorit të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Në një postim tjetër në Facebook, Kurti tha se këtë “e dokumentojnë qartë dëshmitë që posedojnë institucionet tona të sigurisë, si dhe dëshmia e tre policëve tanë”
“Vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej veturës së policisë. Pikërisht në atë vend ku e kemi theksuar qysh me datën 15 qershor: 1 kilometër në brendi përgjatë rrugës së bllokuar ilegale, dhe 300 metra, përkatësisht 670 metra, nga të dy anët larg kufirit e brenda Kosovës”, ka vijuar Kurti.
Një ditë më parë, Kurti tha se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, i kishte vizituar më 20 qershor tre policët e kidnapuar ditë më parë nga autoritetet e Serbisë.
“Përshkrimi se si ka ndodhur rrëmbimi është i njëjtë. Ata thonë se në momentin e rrëmbimit kanë qenë te tryeza e improvizuar, kanë qenë duke ngrënë drekë. Së bashku, kur 15 persona i kanë rrethuar, i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Të tre kanë qenë bashkë. Të tre e kanë rrëfimin e njëjtë, kur pyeten ndaras nga ambasadori ynë Jetish Jashari”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë bërë thirrje Serbisë që t’i lirojë pa kushte policët.