Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media ka thënë se në veri të Kosovës ka indikacione se mund të ketë elemente te Rusisë.
Sipas tij këto indikacione ruse janë të interesuara për të shkaktuara trazira dhe eskalim të situatës në veri.
“Ne po përcjellim situatën.Jemi jashtëzakonisht aktivë në mbledhjen e të gjitha informatave edhe të kësaj natyre. Ka edhe deklarime dhe indikacione se mund të ketë elemente të Rusisë, të cilat janë të interesuara të shkaktojnë trazira, eskalim të situatës atje”, ka thënë Sveçla.
Ai shtoi se institucionet e Kosovës në koordinim me partnerët ndërkombëtar mund të parandalojnë dhe neutralizojnë cfardo ndikimi negativ.
“Unë jam i bindur që institucionet e Kosovës në koordinim edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë janë të suksesshëm në parandalimin, neutralizimin e çfarëdo ndikimi negativ të kujtdo qoftë në raport me sigurinë atje”, ka shtuar Sveçla.
Sipas Sveçlës, Policia e Kosovës është e pjekur dhe e aftë që të menaxhojë në situata të ndryshme.
Sa i përket zëvendësimit të pozitave të policëve të dorëhequr, ai u shpreh se kjo do të bëhet bazuar në rregullativën e brendshme të Policisë së Kosovës.
“Për sa policë do të ketë nevojë, kjo është çështje e vlerësimeve operacionale të vet Policisë së Kosovës.Unë mund t’ju them lirisht se kam kërkuar dhe ata janë të angazhuar që të gjitha nevojat të plotësohen, në mënyrë që ne të sigurojmë që do të ofrojmë shërbime për të gjithë qytetarët atje” ka thënë ai.