Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të mërkurën ka qëndruar në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, në kuadër të Konferencës Ministrore “Menaxhimi i qëndrueshëm i migrimit në Ballkanin Perëndimor”.
Në këtë konferencë, ministri Sveçla, ka theksuar shqetësimin e Kosovës, ndaj migrimit të parregullt, të cilin e ka konsideruar si një nga sfidat kryesore të shtetit.
Ai ka thënë se ky fenomen është një nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës, e cila sipas tij e ka synim “menaxhimin e migracionit të rregullt; garantimin e migrimit të sigurt dhe të mirë organizuar si dhe fuqizimin e masave për të luftuar dhe parandaluar migrimin e parregullt”.
Sveçla, bëri të ditur se vetëm këtë vit Policia e Kosovës i ka iniciuar 32 raste të të kontrabandës me migrantë, ka arrestuar 60 persona dhe ka identifikuar 332 viktima të kontrabandimit të emigrantëve.
“Gjithashtu, prezantova rezultatet e arritura në luftimin e kontrabandës me migrantë, ku vetëm këtë vit Policia e Kosovës ka inicuar 32 raste të kontrabandës me migrantë, ka arrestuar 60 persona dhe ka identifikuar 332 viktima të kontrabandimit të emigrantëve. Gjatë të njëjtës periudhë Policia e Kosovës ka shkatërruar 4 grupe kriminale dhe ka arrestuar 28 persona për kontrabandim me migrantë”, thuhet në reagimin e Sveçles.
Në fund të fjalës së tij ministri Sveçla ka shprehur angazhimin e Qeverisë së Kosovës për bashkunim më të theksuar midis endeve të Ballkanit Perëndimor, BE-së dhe më gjerë.