Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shkuar në vendin e ngjarjes ku ishin sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës për dy ditë radhazi.
Ai ka qenë në pikat kufitare Jarinje e Bërnjak, Sharpej, vendin ku kishte ndodhur sulmi ndaj policisë. Sveçla, gjithashtu, ka vizituar policinë në Izvor e Trebickë, ku po bëhet monitorimi i kufirit dhe bllokimi i rrugëve, ku më herët është zhvilluar kontrabanda.
Përkundër 5 sulmeve të njëpasnjëshme që kanë ndodhur ndaj zyrtarëve policorë, puna e tyre po vazhdon me intensitet të njejtë e me vigjilencë të shtuar.
“Gjendja shëndetësore e zyrtarëve policorë është e mirë dhe nuk ka dëme materiale”, ka shkruar Sveçla në rrjetin social Facebook.
Sipas Sveçlës, në orët e hershme të mëngjesit të 16 prillit, janë sulmuar pjesëtarët e policisë, të cilët po shkonin për të marrë ndërrimin. Grupet kriminale kanë hedhur mjete shpërthyese në drejtim të veturave të policisë kufitare.
Sulmi ka ndodhur derisa zyrtarët policorë po kontrollonin rrugët, ku në të kaluarën zhvillohej kontrabanda.
Sveçla ka theksuar se institucionet janë të përkushtuara maksimalisht që të luftojnë çdo grup kriminal, që me aktivitete ilegale cenojnë sigurinë e vendit.
Në veriun e Kosovës siguria mbetet ende e brishtë edhe pas 23 vjetësh të pasluftës. Megjithatë, Policia Kosovës, prej vitesh ka filluar të shtrijë kontrollin në këtë pjesë, duke ndaluar edhe kontrabandën.
Ndërsa, një pjesëtar i Policisë në vitin 2011 kishte humbur jetën gjatë një aksioni policor, që po zhvillohej për të shtrirë sovranitetin e Republikës së Kosovës edhe në veri të vendit.
Ende mbetet sfidë për institucionet kontrolli i plotë në veri, ku shumica e banorëve janë serbë.