Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është nisur drejt komunës së Leposaviqit, mëson Dukagjini.
Dukagjini mëson se tashmë Sveçla është duke udhëtuar për atje.
Ndryshe, është konfirmuar për Dukagjinin se kryetari i komunës së Leposaviqit tashmë ka shkuar në objektin e komunës që ka fituar.
Njësoj si të premten, ekipi i RTV Dukagjini po qëndron në komunat në veri të vendit, për të raportuar mbi situatën atje.
Ishte e premtja dita kur kryetarët e komunave të veriut të Kosovës, një ditë pas betimit të tyre, u futën në zyrat e tyre në komuna, nën shoqërimin e Policisë së Kosovës.
Një masë e tillë erdhi pasi banorët lokalë serbë kundërshtuan shkuarjen e tyre aty, në zyrat që dikur përdoreshin nga zyrtarë serbë.
Nën tensionet e situatës, protestuesit hodhën gurë, dogjën veturat e Policisë së Kosovës e njëherit, gjatë grumbullimit të tyre u dëgjuan të shtëna armësh. Këto veprime të tyre detyruan Policinë që të përdorte gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë protestuesit.
Megjithatë, të gjithë kryetarët e komunave veriore arritën që me asistimin e Policisë të hynin brenda komunave.
Situatat e së premtes nxitën reagimet e ndërkombëtarëve, me ç’rast të njëjtit shprehën shqetësimet dhe kritikat e tyre ndaj atyre që i quajtën “masa të dhunshme”.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se çdo opsion tjetër i veprimeve të ndërmarra policore gjatë së premtes në veri do të ishte një mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë ndaj kryetarëve të komunave në veri dhe jo vetëm.
Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se shkuarja e kryetarit të komunës në vendin e tij të punës do të duhej të ishte gjëja më normale e mundshme. Ai ka thënë se mbetet i vetëdijshëm mbi shqetësimet e ngritura nga faktorët ndërkombëtarë.