Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla pas protestës së policisë së Kosovës ka thënë se prej se qeveria ka marrë mandatin, buxheti për policinë e Kosovës është rritur për 30%.
Ai ka thënë se Kosova ka ekonominë dhe buxhetin me të cilin adreson nevojat e shtetit e shoqërisë duke theksuar se paga asnjëherë nuk ka qenë e shkëputur nga kushtet e tjera të punës që përbëjnë një aspekt esencial të trajtimit të punëtorëve të secilit sektor, duke përfshirë këtu policinë.
“Ritheksoj se për Policinë e Kosovës nga marrja e mandatit tonë deri sot e kemi rritur buxhetin për 30%, ndërkaq në investime kapitale rritja është prej 300%. Buxheti për pajisje operacionale ka qenë më pak se gjysmë milioni, ndërkaq sot është mbi 9 milionë euro apo 21-fish më shumë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai ka thënë se Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë.
“Me marrjen e mandatit nga ne Policia e Kosovës, Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë. Si Ministri e Punëve të Brendshme për detyrë e kemi të mendojmë e përkujdesemi për tërësinë dhe kështu duke u lëshuar në secilën prej 9 agjencive ekzekutive e pastaj trajtim specifik për njësitë përbrenda secilës agjenci veç e veç, gjithnjë duke pasur parasysh mundësitë reale dhe qasjen e drejtë”, ka vijuar ai.
Ai ka thënë se asnjë çmim nuk do të jetë i barazvlefshëm me jetën duke theksuar se sakrifica asnjëherë nuk mund të jetë pikënisje për të përkufizuar një shpërblim.
“Sakrifica asnjëherë nuk mund të jetë pikënisje për të përkufizuar një shpërblim sepse kjo formë përveçse e dëmshme del të jetë gjithnjë e pamundur. Asnjë sakrificë të popullit shqiptar në histori, të asnjë individi nuk do të mund ta shpërblejmë për ta barazvlerësuar sepse jeta është e paçmueshme. Ajo nuk ka çmim. Asnjë çmim, asnjë shpërblim nuk do të jetë i barazvlefshëm, asnjëherë, me jetën porse ky është angazhimi ynë për vendin. Gjatë kësaj kohe së bashku kemi bërë shumë punë të mira në drejtim të luftimit të krimit, korrupsionit e kontrabandës, pavarësisht se nga gjyqësori s’është se jemi ndihmuar shumë. Veçanërisht kemi shtrirë integritetin, sovranitetin dhe sigurinë në veri të vendit”, ka vijuar ai.
Tutje Sveçla ka thënë se po mundohen që brenda mundësive të trajtojnë çdo njësit të policisë.
“Nuk besoj që ka pagë që do të na nxiste ta bënim këtë, por kemi bërë maksimumin që përbrenda mundësive tona të trajtojmë secilin njësit të Policisë së Kosovës ashtu siç e meriton. Kam qenë shumë i vetëdijshëm për gjendjen në të cilën do ta gjejmë sigurinë në Republikën e Kosovës dhe gjendjen e mjerueshme në aspektin infrastrukturoro-financiar Policinë e Kosovës, por me shumë punë e angazhim, pavarësisht secilës sfidë, kemi bërë punë të mira e do të vazhdojmë të bëjmë. Të gjithë së bashku kemi shtruar një rrugë të drejtë e të sigurtë të ndryshimit të gjendjes së sigurisë në vend dhe kjo rrugë nuk ka më kthim mbrapa”.
Ai ka theksuar se kushdo që në çfarëdo forme, për interesa personale apo grupore tenton “të përdorë situata të ndryshme me qëllim të zbehjes së këtyre angazhimeve është i predispozuar që të dështojë”.
Ndryshe, sot, kanë protestuar para objektit të qeverisë pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese (NjSI) dhe Sindikata e Policisë për shkak të pagave, shtesave të rrezikshmërisë, sigurimeve shëndetësore dhe kërkesave të tjera.