Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar për posterët e shfaqur në veri me dedikim për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ku thuhej “komandan suprem, po të presim”.
Sveçla përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se nëse Vuçiqi niset pa kërkesë për vizitë te Ministria e Punëve të Jashtme, ai mund të vizitohet në burg. Teksa shtoi se Vuçiq tashmë ka disa prej miqve të tij nën grilat e burgjeve kosovare.
“I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, ka shkruar Sveçla.
Ndryshe në veri të Kosovës në mëngjesin e së dielës janë shfaqur posterë me fotografinë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shoqëruar me mesazhin “komandant suprem, po të presim”.
Posterët e tillë janë hasur në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, konfirmoi për Dukagjinin se pas konsultimit me prokurorinë e shtetit kanë hapur rast për “nxitje të urrejtjes”.
“Në disa lokacione në katër komunat në veri të vendit janë shpërndarë pamflete me fotografinë e kryetarit të Serbisë. Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit është hapur rasti për nxitje të urrejtjes”, tha Elshani.
Aktualisht, sipas Elshanit, nuk ka persona të dyshuar për vendosjen e këtyre posterëve, por “policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit”.
Në veri shfaqen mesazhe dedikuar Vuçiqit, hapet rast për nxitje të urrejtjes