Sveçla: Pas 31 tetorit, veturat me targa ilegale të Serbisë s’mund të qarkullojnë në Kosovë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se pas datës 31 tetor, asnjë veturë me targat ilegale nuk do të mund të lëvizë në Kosovë dhe pikë-kalimet kufitare

Ministçr i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se veturat me targa ilegale të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës, të cilat nuk ndërrohen me ato “RKS” deri më 31 tetor të këtij viti, do të llogariten si të paregjistruara.

Ai në një konferencë për media ka theksuar se me ato vetura nuk do të mund të lëvizet askund brenda territorit të Kosovës.

Këtë proces Sveçla e ka quajtur të pandalshëm.

“I themi presidentit të Serbisë, Vuçiq, se ky proces është i pandalshëm dhe pavarësisht frikësimeve ne do të inkurajojmë dhe mbrojmë shtetasit tanë, nga të gjitha ato aktivitete kriminale të Serbisë, të cilat janë duke u luftuar në baza ditore nga institucionet e sigurisë së Kosovës”, ka thënë ai.

“I gjithë ky proces do të zgjasë deri më 31 tetor. Dhe pas asaj, gjitha ata të cilët nuk e kanë shfrytëzuar këtë shans, këtë benefit, të cilën shteti i Kosovës e ka ofruar, do të jenë pronarë të veturave, të cilat nuk janë të regjistruara. Me këtë pastaj merret Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës, me ç’rast asnjë veturë nuk do të mund të qarkullojë as nëpër rrugët e Kosovës, por as nuk mund të shfrytëzojë pikë-kalimet kufitare të Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Ndryshe, marrëveshja për targat midis Kosovës dhe Serbisë është arritur në vitin 2011, në Bruksel.

Automjetet me targat serbe me akronimet e qyteteve të Kosovës si PR, KM, GL, e të tjera, është dashur të regjistrohen sërish në RKS ose me status neutral – KS.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, shumica e popullsisë serbe që jetojnë në katër komunat në Veri të Kosovës, kanë vozitur makina me targa të qyteteve në Kosovë.

Të njëjtat lëshoheshin nga ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë. Ndërkaq, qytetarët e Kosovës nuk lejoheshin të hynin në territorin e Serbisë me targa RKS.

Ata është dashur t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme për të cilat kanë paguar rreth pesë euro, të vlefshme për 60 ditë.

Me marrëveshje, Kosova është detyruar që edhe për pesë vjet të tjera të lëshojë targa KS, të cilat Serbia i ka pranuar.

Kjo periudhë pesëvjeçare ka përfunduar më 15 shtator të vitit 2021.

“Ky ishte afati i fundit për heqjen dhe përdorimin e këtyre targave, si dhe të targave me shkurtesat KM për Mitrovicën, PR për Prishtinën, UR për Ferizajn, PZ për Prizrenin dhe GL për Gjilanin”, kishte thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 20 shtato të po të njëjtit vit, teksa kishte shtuar se këto targa do të konfiskohen.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave reciproke ndaj Serbisë përkoi me skadimin e targave KS (Kosova), neutrale ndaj statusit, me të cilat mund të shkohej në territorin e Serbisë pa targa provuese.

Qeveria e Kurtit njoftoi se qytetarëve në veri të Kosovës do t’u hiqen të gjitha targat KM (Mitrovica e Kosovës), të lëshuara nga autoritetet serbe dhe të cilat janë të paligjshme për Kosovën.

Më 18 gusht 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë raundit të dialogut në Bruksel, dështuan të arrinin marrëveshje për targat dhe dokumentet, që rritën tensionet mes shteteve.

Por, unioni ndërkombëtar u angazhua për të bindur palët që të arrinin marrëveshje për të shmangur përshkallëzimin e situatës më një shtator, kur duhej të hynte në fuqi vendimi për dokumentet serbe, por edhe për targat.

Kosova, më një gusht, për disa orë lëshoi dokumente të tilla, por vendimi u përcoll me barrikada nga serbët në veri të Kosovës.

Pasi ata hoqën barrikadat, Qeveria e Kosovës shtyu vendimin për 1 shtator.

Kjo me kërkesë të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili e ka kërkuar shtyrjen e implementimit të reciprocitetit të targave dhe të dokumenteve hyrëse-dalëse për 30 ditë.

Hovenier kishte thënë se vendimi për reciprocitetin për letërnjofime dhe targa është plotësisht i përshtatshëm dhe në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, porse ka kërkuar shtyrjen për 30 ditë, pasi sipas tij ka pasur dezinformata e keqkuptime ndaj vendimeve.

Megjithatë, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.

Deri te marrëveshja për dokumentet erdhi pas angazhimit të diplomatëve evropianë dhe amerikanë të cilët kërkuan nga palët që të arrinin një ujdi dhe të shmangnin dhunën në veri të Kosovës.

Borrell kishte thënë se kjo marrëveshje do të mundësojë që qytetarët e Kosovës dhe Serbisë të lëvizin me letërnjoftimet përkatëse.

Sipas Borrell, kjo ishte një zgjidhje evropiane.

Çfarë thotë Marrëveshja e Brukselit për targat?

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika