Përveç me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, i Dërguari i Posaqëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, është takuar edhe me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla.
Ky i fundit ka thënë se emisarin Peach e ka njoftuar për angazhimet në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Po ashtu, Svecla e ka theksuar përkushtimin e ministrisë që e drejton për të krijuar paqe e stabilitet të qëndrueshëm për qytetarët e Kosovës.
“E njoftova Lord Peach mbi angazhimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme sipas prioriteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës në sundimin e ligjit dhe luftimin e pakompromis të krimit dhe korrupsionit si dhe për arritjet tona në këtë fushë. Duke qenë se Republika e Kosovës është sfiduar në vazhdimësi në aspektin e sigurisë nga faktorë të jashtëm me qëllim të destabilizimit të vendit tonë, ritheksova përkushtimin tonë për stabilitet e paqe të qëndrueshme dhe për mirëqenie e siguri për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim”, ka thënë ai.
Në fund Sveçla e ka falënderuar Peach-in, për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar ia jep Kosovës.