Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në Kuvendin e Kosovës, ka folur për punën dy vjeçare të ministrisë që ai drejton.
Sveçla ka thënë se për dy vite Policia e Kosovës, është ballafaquar me 60 mijë vepra penale, kurse i ka arrestuar mbi 31 mijë persona.
Po ashtu, Sveçla tha se gjatë qeverisjes dy vjeçare, janë mbyllur 16 rrugë ilegale në veri të Kosovës, janë shkatërruar 83 grupe kriminale, dhe janë konfiskuar disa tonë me lëndë narkotike.
“Brenda këtyre dy viteve policia është ballafaquar me 60 mijë vepra penale me mbi 31 mijë të arrestuar. Mbyllëm 16 rrugë ilegale në veri dhe rregulluam rrugë tjera që e integruan atë pjesë në pjesën tjetër të Kosovës. Shkatërruam 83 grupe kriminale, u konfiskuan 2 ton substanca narkotike, shkatërruam 14 laboratorë të drogës, 8 prej tyre në veri”, ka thënë ai.
Tutje Sveçla, ka thënë se deri në vitin 2021, nuk ka pasur asnjë stacion policor në mbikëqyrje dhe kontroll të kufirit, kurse sipas tij në vetëm dy vite janë aktivizuar shtatë.