Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se protestuesit në veri po detyrohen të nënshkruajnë pjesëmarrjen e tyre në protesta.
Sipas një statuti të publikuar në Facebook, Sveçla ka thënë se kjo mund të nënkuptojë kërcënime ndaj tyre.
“Serbët e Kosovës në vazhdimësi nën trysni dhe kërcënime që të kryejnë veprime jashtë vullnetit të tyre. Pas kushtëzimeve për të marrë pjesë në protesta e organizime të drejtuara nga Lista Serbe, protestuesit sot po detyrohen të nënshkruajnë në lista pjesëmarrjen e tyre në protestë. Haptazi ky është një mjet për të ndërmarrë veprime të mëvonshme ndaj atyre që nuk kanë qenë prezent në protestë. Kjo mund të nënkuptojë kërcënime dhe dhunë fizike ndaj tyre dhe familjarëve, largime nga puna si dhe dëmtim të pronave të atyre personave”, ka shkruar ai.
Tutje, ai ka deklaruar se dënon ashpër veprimet e vazhdueshme të Listës Serbe dhe të bandave kriminale të drejtuara nga ta, me porosi nga Serbia, gjersa thekson se institucionet e sigurisë qëndrojnë të angazhuara.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet e sigurisë qëndrojnë të angazhuara e përkushtuara maksimalisht në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim. Dënojmë ashpër veprimet e vazhdueshme të Listës Serbe dhe bandave kriminale të drejtuara nga ta, me porosi të Beogradit. Këto taktika duhet të ndalen që qytetarët serb të Kosovës të jetojnë pa presione e kërcënime”, ka shkruar ai.
Serbët në veri kanë filluar protestën të premten e 26 majit.
Ata nuk po lejonin kryetarët të futeshin në objektin e komunës.
Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe ekipeve të gazetarëve.
Deri tani, dy vetura të RTV Dukagjini janë vandalizuar.