Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë se ish-pjesëtari i MUP-it i arrestuar këtë të shtunë, Dejan Pantiq, sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyrat e KKZ-së në Veri të Mitrovicës.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues.
“Policia e Kosovës sot ka ndaluar në Pikën Kufitare në Jarinje ish zyrtarin policor, ish pjesëtarin e MUP-it i cili ishte integruar më parë në Policinë e Kosovës, Dejan Pantiç. I ndaluari sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policor. Pantiç akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues”, ka shkruar Sveçla.
Krahas kësaj, ai ka thënë se bllokimi i rrugëve është organizuar me qëllim të parandalimit të vendosjes së drejtësisë.
“Grupe ekstremiste me qëllim të parandalimit të vendosjes së drejtësisë janë organizuar në bllokim të disa rrugëve dhe ngritje të barrikadave në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok. Ftoj të gjithë qytetarët për ruajtje të qetësisë e në veçanti qytetarët tanë të etnisë serbe që të mos bëhen pjesë e organizimeve të grupeve kriminale në Veri”, ka shkruar Sveçla.
Ai thekson se asgjë nuk mund t’i ndalë institucionet e Republikës së Kosovës për ofrim të sigurisë për qytetarët pa dallim e për sjellje para drejtësisë të të gjithë shkelësve të ligjit.
Policia e Kosovës e ka arrestuar serbin Dejan Pantiq, i cili kishte qenë pjesëtar i policisë. Arrestimi i tij ka ndodhur të shtunën e 10 dhjetorit (sot) në Jarinjë, ndërsa strukturat paralele dhe kriminale të serbëve nga Veriu i Kosovës po grumbullohen dhe po vendosin barrikada në terren.
Zyrat e KKZ-së u sulmuan më 6 dhjetor të këtij viti.