Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook ka thënë se puna e zyrtarëve policor dhe institucioneve të sigurisë janë motivi që të gjithë të tjerët të punojmë më shumë për të mirën e përgjithshme.
“Profesionalizmi, puna dhe përkushtimi i të gjithë zyrtarëve polior por edhe i institucioneve të tjera të sigurisë, janë motiv për të gjithë ne që të punojmë dhe më shumë për të mirën e përgjithshme”, ka shkruar Sveçla.
Një reagim i tillë vjen pasi ditën e fundit të vitit 2022 Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kanë vizituar Kampin e Policisë së Kosovës në Belvedere dhe presidentja ka ndarë dekorata për punën e tyre.
“Patëm nderin e veçantë që sot të presim në Kampin e Policisë së Kosovës në Belvedere Presidenten e Republikës së Kosovës Znj. Vjosa Osmani – Sadriu, e cila ndau dekorata për zyrtarë e njësi policore në shenjë mirënjohje për punën profesionale e me përkushtim në ruajtjen e sovranitetit dhe ofrimin e sigurisë publike në tërë Republikën”, ka theksuar Sveçla.
Në ditën e fundit të vitit 2022, Osmani dhe Sveçla vizitojnë pikën kufitare në Bërnjak
Ndër të tjera, ai ka bërë të ditur se janë vizituar edhe zyrtarët policor në Jasenovik dhe pikën kufitare në Bërnjak në shenjë mbështetje.
“Me këtë rast, vizituam edhe zyrtarët policor në Jasenovik dhe Pikën Kufitare në Bërnjak, për të shprehur mbështetjen e të gjithë neve për kryerjen e detyrave të tyre shtetërore”, ka shkruar ai.