Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se sulmet e ditëve të fundit ndaj institucioneve në veri të Kosovës janë shprehje e dëshpërimit të bandave kriminale të cilat dirigjohen nga Beogradi.
Ai ka thënë se dëshpërimi i këtyre bandave po shpërfaqet me “prezencë” dhe si të “fortë” derisa ato po çmontohen dita-ditës nga institucionet e Kosovës.
Por, Sveçla gjithashtu ka paralajmëruar se institucionet e vendit janë të vendosura deri në eliminimin e plotë të mbetjeve kriminale e terroriste në vend.
“Sulmet e ditëve të fundit ndaj institucioneve në veri janë shprehje e dëshprimit dhe qyqarllëkut të bandave kriminale me dirigjim nga Beogradi. Në kohën kur po çmontohen ditë e më shumë, dëshpërimisht duan të tregojnë se ende janë këtu dhe të fortë. Por, ne jemi më të vendosur se kurrë deri në eliminimin e plotë të secilës grimcë kriminale e terroriste në vendin tonë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Sveçla tutje ka thënë se rendi e ligji do të funksionojnë anekënd vendit dhe se tendenca për frikësim të qytetarëve nuk do ketë vend.
“E themi troç atë që kemi përsëritur përgjatë këtyrë katër viteve: Koha e pandëshkueshmërisë dhe amnistisë ndaj bandave kriminale ka përfunduar. Kushtetushmëria, ligjshmëria, rendi e ligji do të funksionojnë në çdo cep sikurse liria dhe të drejtat e qytetarëve nuk mund t’i ndalojë askush përmes frikës e terrorizimit”, ka shkruar Sveçla.
Gjithashtu edhe Kryeministri Albin Kurti ka reaguar lidhur me sulmet e fundit në veri.
Kurti para mediave ka pohuar se këto sulme janë shprehje e pafuqisë së disa keqbërësve.
“Keqbërës nuk është që nuk ka, mirëpo strukturat kriminale ose kanë ikur në Serbi, ose janë në burg në Kosovë. Nuk kemi burime të brendshme të destabilitet potencial, që nuk i menaxhojmë, e nuk ia dalim në ballafaqim me ta. Shprehje e pafuqisë së tyre, akte terrorizimi, që kanë qëllim të mbjellin frikë”, është shprehur Kurti.