Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar për aksidentin e mbrëmshëm në rrugën Gjilan-Prishtinë, ku kanë mbetur të vdekur tre persona.
Sveçla përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka njoftuar se në vetaksident që ka ndodhur mbrëmë kanë vdekur tre të rinj e një prej tyre akoma nuk është identifikuar.
Ai njoftoi se pas aksidentit ka intervenuar Policia e Kosovës bashkë me FSK-në, ku edhe i kanë nxjerrë trupat e viktimave dhe veturën nga Liqeni i Badovcit. Ministri Sveçla ka bërë apel për vozitje të kujdesshme për shmangien e rasteve të tilla.
“Mbrëmë pas mesnatës në një vetaksident gjeten vdekjen tre të rinj, prej të cilëve dy tashmë janë identifikuar. Në vend të ngjarjes menjëherë pas aksidentit ka intervenuar Policia e Kosovës e cila me ndihmën e FSK-së dhe zjarrëfikësve ka nxjerrë veturën nga Liqeni i Badovcit dhe trupat e të ndjerëve. Aktualisht, ekspertët e fushës janë duke bërë hetime për shkakun e aksidentit. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe në këto momente të rënda për ta jemi në krah të tyre. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve për vozitje të kujdesshme në mënyrë që të shmangim dhe të mos përsëriten aksidente të tilla”, ka shkruar Sveçla.
Ndryshe, tre persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e një aksident trafiku në rrugën Gjilan-Prishtinë.Këtë e ka konfirmuar Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.Ahmeti ka thënë se në aksident ka qenë i përfshirë një automjet në lëvizje.
“Mbrëmë rreth orës 23:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Gjilan -Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale.Në këtë aksident, ka qenë i përfshirë, një automjet në lëvizje. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të vdekur tre persona. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.Aktualisht policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë quar deri te ky aksident trafiku”, tha Ahmeti.
Zjarrfikësit japin detaje për aksidentin me tre të vdekur në Badoc
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, ka bërë të ditur se dy nga trupat e pajetë të personave të përfshirë në aksidentin e ndodhur të shtunën mbrëma në rrugën Gjilan-Prishtinë, janë nxjerrë nga zhytësit e FSK-së nga uji i Badocit.
Ndërsa, trupi i pajetë i viktimës tjetër, sipas tij, është tërhequr bashkë me veturë me anë të litarit.
Trupat e pajetë e të tre viktimave janë dorëzuar te ekipet mjeko-ligjore.
“Menjëherë ekipet e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes. Kanë bërë përpjekje për ta nxjerrë veturën, por nuk kanë mundur sepse ishte e gjitha e zhytur në ujë. Ka ardhur ekipi i zhytjes së FSK-së, i kanë nxjerrë dy persona që kishin humbur jetën në ujë, njëri që ka mbetur në veturë e kemi tërhequr me litar, me kamion e kemi nxjerrë veturën me gjithë personin e vdekur, dhe pastaj sigurisht e kemi hequr edhe nga vetura bashkë me FSK-në, dhe e kemi dorëzuar te ekipet mjeko-ligjore”, ka thënë Gashi