Sveçla për vrasjen e Balajt dhe Xheladinit: Drejtësia nuk ka ndodhur akoma, por krimi nuk vjetërohet kurrë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përkujtuar aktivistët e LVV-së, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, të cilët mbetën të vrarë në demonstratat e 10 shkurtit 2007

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një konferencë për media

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me rastin e 16-vjetorit të vrasjes së Balajt dhe Xheladinit, ka thënë se ata ishin dëshmorë për liri dhe vetëvendosje, duke shtuar se drejtësia nuk ka ndodhur akoma, por krimi nuk vjetërohet kurrë.

Ai ka thënë se ata janë udhërrëfyesit e përhershëm në rrugën e përbashkët të idealeve dhe janë udhërrëfyesit e angazhimit tonë të përditshëm e të pandalshëm për vendin tonë.

“Lavdi Monit e Arbenit! Lavdi dëshmorëve të rënë për liri e vetëvendosje”, është shprehur Sveçla.

Tutje, nëpërmjet një postimi në Facebook, Sveçla ka kujtuar protestën e së shtunës së 10 shkurtit 2007, për të cilën, ka thënë që ishte një tubim “për të shprehur kundërshtimin ndaj padrejtësive që po i vinin Kosovës nga pakoja e Ahtisaarit”.

“Protestës i printe, e masës u drejtua atë ditë edhe veprimtari i pashoq i çështjes kombëtare shqiptare, Adem Demaçi, ndërsa përreth tij ishin mijëra qytetarë e aktivistë, djem e vajza të ndershëm, të guximshëm e me vetëdije të lartë mbi rrezikun që i kanosej vendit tonë nga decentralizimi etnik”, ka shkruar ai.

“232 plumba gome me afat të skaduar u shkrepën drejt nesh, drejt djemve e vajzave, burrave, grave e të moshuarve. Nga ata plumba u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini, mbetën të plagosur rëndë Hysni Hyseni, Zenel Zeneli e Mustafë Nerjova, si dhe mbi 80 protestues të tjerë pësuan lëndime”, ka shkruar tutje ministri Sveçla.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se vitin e kaluar ka kërkuar informata nga sekretari i Kombeve të Bashkuara, lidhur me nivelin e zhvillimit të procedurave për rastin e vrasjes së Mon Balajt e Arben Xheladinit, dhe marrjen e përgjegjësive nga policia rumune.

Ministrja Haxhiu, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se 16 vjet më parë, sheshi u bë pikënisje e shtetit, ndërsa siç është shprehur ajo, protestuesit aktivistë, Balaj dhe Xheladini “u bënë sakrifikuesit e shtetësisë që nuk dukej në horizont pa këta protagonistë dhe qindra e mijëra qytetarë që mbushën rrugët atëkohë”.

Kujtojmë se, 16 vjet më parë, më 10 shkurt 2007, nën organizimin e Lëvizjes Vetëvendosje, ishte mbajtur protesta kundër Planit të Ahtisaarit, ndërsa policia e UNMIK-ut, konkretisht ata të regjimentit rumun e ukrainas, kishin shtënë me armë ndaj protestuesve, duke lënë të vdekur 2 protestues, Mon Balajn, Arben Xheladinin dhe mbi 80 të plagosur.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika