Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Kosova po heton për përfshirjen e mundshme të Rusisë në sulmin ndaj Policisë në Banjskë të Zveçanit.
Më 24 shtator, rreshteri Afrim Bunjaku mbeti i vrarë dhe disa policë u plagosën, pasi autoritetet e rendit u sulmuan nga një grup kriminal. Po ashtu, tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Kosova për këtë sulm terrorist, e ka fajësuar Serbinë. Beogradi ka mohuar se ka gisht në ngjarjet në Banjskë të Zveçanit.
Sveçla në një intervistë për Associated Press, ka thënë se hetuesit janë duke shikuar provat që e lidhin Rusinë – aleaten e Serbisë – me sulmin e armatosur. Armët ruse dhe pajisjet e dokumentet e tjera sugjerojnë për përfshirjen ruse në sulmin e armatosur, ka thënë ai.
“Ajo çka e dimë sigurt është se [sulmuesit] erdhën nga Serbia. Disa prej tyre janë serbë të Kosovës, që kanë shtetësi të dyfishtë – të Kosovës dhe Serbisë – dhe sipas informacioneve nga inteligjenca jonë, ata ishin trajnuar në kampet në Serbi”, ka deklaruar ai.
“Kemi gjetur disa dokumente që na bëjnë të dyshojmë se ka pasur individë nga Rusia po ashtu”, tha ai. “Sa u përket pajisjeve, ne kemi dëshmi, por sa u përket individëve, ne ende kemi vetëm dyshime”, ka shtuar tutje ai.
Në Perëndim ka frikë se Rusia, duke vepruar përmes Serbisë, mund të synojë destabilizimin e Ballkanit dhe të shpërqendrojë vëmendjen nga pushtimi i saj i Ukrainës. Rusia ka ofruar mbështetje për Serbinë pas sulmit në Banjskë, duke e akuzuar Perëndimin se ka dështuar që të mbrojë serbët e Kosovës.
Lexo edhe: A do t’i shpëtojë drejtësisë Milan Radojçiq?
Sveçla ka thënë se bazuar në dëshmitë e mbledhura dhe pamjeve të incizuara me dron, disa nga sulmuesit, që ai iu referua si “terroristë”, mbanin maska gjatë operacionit.
“As anëtarët e grupit që u arrestuan nuk e dinin se kush ishin ata”, ka deklaruar ai, duke shtuar se ata ose janë zyrtarë të lartë të sektorit të sigurisë së Serbisë, ose kanë ardhur direkt nga Rusia.
Sipas Sveçlës, qëllimi i operacionit dukej se ishte marrja nën kontroll e veriut të Kosovës me synimin final që të shkëputjes së kësaj zone – e banuar me shumicë serbe – nga pjesa tjetër e shtetit.
“Ata kishin mbi 100 uniforma. Ata po planifikonin që të rekrutonin më shumë persona brenda [komuniteteve] ku jetojnë serbët… Institucionet e Kosovës më pas do të duhej të përballeshin me disa qindra terroristë, sipas skenarit që ata kishin planifikuar”, ka thënë ai.
Ai i ka bazuar këto pretendime edhe në bazë të armatimeve të shumta që tha se Policia gjeti në Banjskë.
Sipas Sveçlës, rreziku për një kryengritje të re nuk ka kaluar.
“Nuk kemi përleshje, por kemi informacione se trajnimi i terroristëve të tillë po vazhdon në Serbi”, ka thënë ai.
“Në Kosovë ka ende persona që janë pjesë e këtij grupi”, ka thënë Sveçla për AP-në, shkruan REL.
Ministri Sveçla, më herët ka shpërndarë disa pamje ku shihet Milan Radojçiq, nënkryetari i Listës Serbe, se ka qenë udhëheqës i grupit terrorist i cili sulmoi Policinë e Kosovës të dielën e 24 shtatorit në Banjskë.