Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas lirimit të policëve të Kosovës që ishin kidnapuar nga forcat serbe më 14 qershor, ka thënë se Serbia po vazhdon lojërat e saj.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se ndonëse lirimi i policëve sot është lajm i mirë, përndjekja e tyre nga Serbia do të vazhdojë në liri.
“Policët tanë sot kthehen në Republikën e Kosovës, në familjet e tyre e në radhët e Policisë së Kosovës. Për t’u bashkuar kështu me kolegët e tyre në misionin e përbashkët për rend e ligj, siguri e sovranitet në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë, përndjekja e tyre nga Serbia do të vazhdojë në liri”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka thënë se konfirmimi i aktakuzës dhe lirimi në procedurë të rregullt është vazhdim i orvatjeve të Serbisë për të mbuluar agresionin policoro-ushtarak brenda territorit të Republikës së Kosovës.
“Policët tanë kanë qenë në detyrë zyrtare brenda territorit të Republikës dhe duke kryer detyrën e tyre në mbrojtje të integritetit, sovranitetit të vendit dhe luftim të kontrabandës. Ata duhet të lirohen pa kushte dhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për cenimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, ka vijuar Sveçla.
Tre zyrtarët policorë të Kosovës, të kidnapuar nga forcat serbe më 14 qershor, u liruan të hënën e 26 qershorit.
Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i kishin bërë thirrje vazhdimisht Serbisë që t’i lirojë pa kushte policët.