Në një ceremoni këtë të enjte nga EULEX-i, u ndanë medaljet për shërbim në Politikën e Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje për njësinë e Policisë së Specializuar Rezervë.
Pjesë e kësaj njësie janë 49 pjesëtarë të Forcës së Xhandarmerisë Evropiane (EUROGENDFORCE) nga Italia, Lituania dhe Franca.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në fjalën e tij në ceremoni, ka theksuar se siguria po rrezikohet për shkak të etjeve për luftë, ambicieve për pushtim e tendencave për destabilizim e minim të paqes.
Ai ka thënë se siguria e Republikës së Kosovës është sfiduar shumë herë në dy vitet e fundit nga sateliti i Rusisë në rajonin tonë, Serbia.
Sipas tij, brenda kësaj periudhe, kemi pasur 112 sulme ndaj pjesëtarëve dhe aseteve të Policisë së Kosovës.
“Këto sfida me të cilat vazhdojmë të ballafaqohemi akoma, kulmuan me kidnapimin e tre zyrtarëve tanë policorë thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, me sulmet brutale ndaj ushtarëve të KFOR-it e me sulmin terrorist të 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë zyrtari policor, rreshter Afrim Bunjaku”, ka deklaruar Sveçla, transmeton RTK.
Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, ka theksuar se misioni i tyre është sigurimi i paanshëm i sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim etnie dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe praktikat më të mira evropiane.