Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është takuar me kryetarin e ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
Për këtë ka njoftuar vetë ministri Sveçla përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se Mitrovica e Veriut si çdo komunë tjetër e Kosovës do të përjetojë progresin e merituar.
“Kisha kënaqësinë të vizitoj sot në zyrën e tij Kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut Erden Atiq. I urova punë të mbarë në detyrën e tij të re duke i ofruar gatishmërinë time të plotë në zbatimin e prioriteteve të tij”, shkroi ai.
“Do të angazhohemi bashkërisht, si nivel qendror dhe lokal, që qytetarëve tanë të Mitrovicës së Veriut të ju sigurojmë mirëqenie, arsim, shëndetësi, siguri e kushte të qëndrueshme jetese”.
Ndryshe, më 19 maj, Erden Atiq, i cili i fitoi zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, e ka dhënë betimin si kryetar i ri i kësaj komune.
Atiq tha se do ta kryejë punën me besnikëri dhe në pajtim me ligjin për të siguruar një mjedis sa më të qetë.
“Betohem se me nder besnikëri, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin që t’i sugroj kushtet për një jetë të qetë”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai e ka caktuar edhe nënkryetaren e re të komunës, Katarina Agangjigj.