Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se të mërkurën ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Atje, Sveçla është takuar me homologun e tij maqedonas, Panche Toshkovski, me të cilin ka biseduar për situatën e sigurisë, sigurinë e kufijve, migrimin e paligjshëm dhe luftën ndaj krimit të organizuar.
“Me kënaqësi kam pranuar ftesën nga homologu im Panche Toshkovski dhe sot realizova vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në selinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shkup, të shoqëruar nga drejtorët e policive të dy shteteve tona dhe zëvendësministri Astrit Iseni, biseduam për situatën e sigurisë, sigurinë e kufijve, migrimin e paligjshëm dhe luftën ndaj krimit të organizuar”, ka njoftuar Sveçla në një postim në Facebook.
Sveçla ka thënë se “fenomenet negative që kanë karakterizuar brezin kufitar me Republikën e Maqedonisë së Veriut janë në trend të rënies falë bashkëpunimit të ngushtë policor, teksa janë shënuar rezultate të dukshme edhe në luftën e përbashkët ndaj krimit të organizuar”.