Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, do të mbajë një konferencë për media, e cila sipas njoftimi nga Ministria, do të fillojë nga ora 18:00.
Konferenca për media do të mbahet në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë.
Ndërsa, në njoftim nuk është bërë e ditur tema e konferencës dhe arsyeja e saj.
Ndryshe, këtë të enjte, është mbajtur protestë e dyta më radhë nga ana e serbëve në Rudar të Zveçanit, ku sipas Policisë së Kosovës, protesta kishte kaluar e qetë dhe pa incidente.
- Përfundon qetësisht protesta në veri
- Policia e Kosovës për protestën në veri: S’kemi penguar pjesëmarrjen e askujt, ishin rreth 1500 persona
Protesta nga ana e tyre ishte ftuar kinse për shkak të “kërcënimeve të fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti”, i cili sipas tyre, bëri thirrje për zhdukjen e popullit serb dhe vrasjen e serbëve në barrikada.
Pos kësaj, arsyeja tjetër e kësaj thirrjeje sipas tyre është edhe mbështetja e drejtpërdrejtë e Kurtit nga ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, “i cili guxoi të caktojë ultimatume dhe afate për heqjen e barrikadave”.
Ndërkaq, barrikadat e vendosura në veri të Kosovës vazhdojnë të jenë prezente edhe në ditën e 13 të saj.
Që nga e shtuna e 10 dhjetorit, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie për arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për të cilin, autoritetet në Kosovë thonë se ka organizuar sulmet ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.