Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka vizituar komunën e Gjakovës dhe të Rahovecit pas vërshimeve të shkaktuara nga të reshurat e shiut mëngjesin e së shtunës së 17 shtatorit.
Sveçla përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se janë të gatshëm të ndihmojnë qytetarët për kalimin e kësaj situate.
“Me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini vizituam familjet në lagjet të cilat janë të prekura nga vërshimet. Gjatë kësaj vizite kuptuam nevojat e qytetarëve dhe ofruam përkrahjen e parezervë të organizmave reagues me qëllim të tejkalimit të situatës”, ka shkruar ministri.
Ndërkaq në komunën e Rahovecit, ka vizituar një fshat për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga reshjet e mëngjesit.
“Me kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, vizituam fshatin Fortesë ku u njoftuam për dëmet të cilat janë shkaktuar nga reshjet e mëdha të shiut”, ka vijuar ai.
Më tej ministri Sveçla ka thënë se MPB-ja përmes Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave ka ofruar kontributin me zjarrfikës të cilët janë angazhuar në evakuim të familjeve në lagje të ndryshme.
Ndërkaq Policia e Kosovës dhe FSK- ja janë në koordinim të ngushtë për t’iu përgjigjur kërkesave dhe nevojave të qytetarëve gjatë tërë kohës.
Vërshimet në Gjakovë dhe Rahovec, fillon evakuimi i familjeve