Sveçla viziton policinë në Bërnjak: Përkundër sfidave pashë vendosmëri për punë

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka vizituar të dielën zyrtarët policorë në pikën kufitare në Bërnjak dhe në stacionin policor të policisë kufitare

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në Bërnjak

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të dielën e shtatë gushtit ka vizituar zyrtarët policorë në pikën kufitare në Bërnjak.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ministri i këtij dikasteri ka thënë se që nga viti i kaluar deri më tani në veri të vendit kanë ndodhur 14 sulme, 10 prej të cilave kanë qenë ndaj zyrtarëve policorë.

“Sot isha për vizitë në pikën kufitare në Bërnjak dhe në stacionin policor të policisë kufitare. Me këtë rast, takova disa nga zyrtarët policorë të cilët janë ballafaquar me sulme të shumta nga strukturat ilegale serbe në mbrëmjen e 31 korrikut si dhe zyrtarë të tjerë policorë që po angazhohen në mbrojtje të kufirit tonë”, ka shkruar Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ndryshe, zyrtarët e kësaj pike kufitare të shtunën e gjashtë gushtit janë sulmuar derisa po patrullonin në liqenin e Ujmanit.

“Përkundër të gjitha sfidave me të cilat po ballafaqohemi te të gjithë zyrtarët policorë pashë një vendosmëri dhe entuziazëm që në plotni të përmbushin detyrat dhe obligimet e tyre zyrtare”, ka shtuar ai.

“Me këtë rast, i falënderova ata për zellin e treguar deri tani dhe i inkurajova që së bashku të punojmë drejt shtrirjes së plotë të rendit dhe ligjit edhe në atë zonë”.

Ndryshe, Sveçla ka reaguar për sulmin e ndodhur të shtunën, ndaj policisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit në Zubin Potok. Sipas tij, grupet ilegale serbe kanë shtënë drejt zyrtarëve policorë për t’i penguar ose për t’i vrarë ata.

Sipas tij, vetëm të shtunën rreth dhjetë herë është shtënë drejt zyrtarëve të policisë kufitare, dhe se grupet ilegale serbe janë duke u mbrojtur publikisht nga struktura të caktuara serbe, të cilët janë duke u përpjekur maksimalisht të pengojnë detyrën e policisë brenda Kosovës.

“Rreth 10 herë sot është shtënë drejt zyrtarëve të policisë kufitare derisa ata po kryenin detyrën e tyre zyrtare, kontrollën rutinore në Liqenin e Ujmanit. Grupet ilegale serbe të cilat tashmë po mbrohen dhe mbështeten edhe publikisht nga struktura të caktuara serbe, po bëjnë përpjekje maksimale të na pengojnë apo ndalojnë të kryejmë detyrën tonë brenda vendit tonë”, ka deklaruar Sveçla.

Ndërkaq, ai ka shtuar se për më pak se një javë “strukturat kriminale” kanë tentuar dy herë t’i pengojnë zyrtarët policorë, apo sipas tij, duke shtënë me armë ndaj tyre është tentim edhe për vrasje.

“Për më pak se 1 javë, 2 herë strukturat kriminale kanë shtënë drejt zyrtarëve policorë për t’i penguar ose për t’i vrarë ata”, është shprehur ai.

Gjithashtu, Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës do të mbetet e angazhuar të kryejë detyrën e tyre, dhe se për asnjë nuk do të tërhiqen nga e drejta e tyre pavarësisht çdo sulmi të organizuar.

Policia e Kosovës kishte bërë të ditur se njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit (SPMK) Zubin Potok, është sulmuar me armë në veri të Kosovës, përkatësisht prej 10 të shtënash të njëpasnjëshme në drejtim të tyre.

Ky nuk është i vetmi sulm ndaj Policisë së Kosovës.

Më 17 korrik, pesë zyrtarë të Policisë së Kosovës kishin mbetur të lënduar si pasojë e një sulmi nga një kamion, i cili dyshohej për kontrabandim mallrash. Kamioni kishte dëmtuar automjetin e Policisë pas dy goditjesh.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës ishin penguar nga dy automjete civile në Komunën e Leposaviqit, gjersa kishin tentuar të ndalonin një kamion, i cili dyshohej për kontrabandim mallrash.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika